Inspektorati Policor i Kosovës… ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
Inspektorati Policor i Kosovë ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “fotografimi dhe inicimet tjera të paautorizuara”.
Siç njofton IPK-ja, vepra penale dyshohet se është kryer në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
“Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës. Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik.
IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar. Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim e IPK-së.