Gazeta raportoi mbrëmë për një incident që ndodhi në Vushtrri, ku një zyrtar policor ka gjuajtur në drejtim të qenve endacakë që iu vërsulën në mes të rrugës. Polici u detyrua të përdorë armën e tij zyrtare për t’i zmbrapsur qentë dhe tashmë lidhur me rastin janë vënë në dijeni Prokurori i Shtetit dhe IPK.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, me ç’rast është bërë e ditur se hetimi ka nisur në drejtim të veprës penale “Përdorimi i armës”.
“Lidhur me rastin IPK-ja ka nisur hetimet lidhur me një rast të përdorimit të armës zyrtare nga një zytar policor.
Rasti po hetohet edhe në koordinim me prokurorin e Shtetit. Për detaje do t’ju njoftojmë me kohë”, thanë nga IPK-ja.
Ndryshe, rasti ka ndodhur në rrugën “Rifat Galica” teksa polici ishte duke u kthyer në shtëpi, kur papritmas ia zunë rrugën një numër i madh i qenve.
Nga ky incident, asnjëri nga qentë nuk ka pësuar lëndime e as ndonjë qytetar.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet përkatëse të Policisë, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.