Klubi Futbollistik “Feronikeli” edhe zyrtarisht është larguar nga Superliga e Kosovës në futboll.
“Industrialistët” ishin pjesë e Superligës që nga sezoni 2012/2013 ku u inkuadruan nga Liga e Parë, shkruan Gazeta Enigma.
Skuadra nga Drenasi gjatë këtyre dhjetë viteve ka qenë skuadra me më së shumti trofe të fituara.
“Tigrat e Zi” janë shpallur tri herë kampion të Kosovës, në sezonin 2014/15, 2015/16 dhe 2018/19.
Gjithashtu, kjo skuadër ka fituar edhe dy herë Kupën e Kosovës, në sezonin 2013/14 dhe 2014/15. Në sezonin 2014/15 skuadra e “Niklit” kishte kompletuar tripletën duke e marrë edhe Superkupën e Kosovës.
Me humbjen e sotme në shtëpi ndaj Llapit, skuadra e Niklit edhe matematikisht ka rënë në Ligën e Parë.
Kujtojmë që kjo skuadër këtë sezon kishte pasur probleme të mëdha financiare pasi që Presidenti i Klubit, Naser Ramaj, ishte larguar dhe kësisoj ekipi ndeshjet është duke i vazhduar me futbollistët e rinj të akademisë.
Poashtu, sipas deklarimeve të ish-lojtarëve, klubi ju ka mbetur me shumë obligime të papërfunduara atyre dhe mbetet të shihet se si do të zgjidhet situata.
Pas 30 ndeshjeve të luajtura, Feronikeli ka mbledhur vetëm 12 pikë.