Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me ish-ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, i cili shkoi në takim si përfaqësues i AAK-së.
Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partië, Lulëzim Blaka. Ai tha se në takimin për vettingun është paraqitur qëndrimi i AAK-së që “këtë proces e konsideron të rëndësishëm dhe i jep përkrahje”.
Mirëpo, AAK është shprehur mosbesuese që vettingu të ketë sukses pa konsensus të plotë të brendshëm politik.
Blaka tha se duhet të përfshihen KGJK, SHBA-të dhe BE dhe të përfillen në përpikmëri qëndrimet e Komisionit të Venedikut.
“Sidoqoftë, AAK nuk ka besim që procesi të ketë sukses pa koncensus të plotë të brendshëm politik, pa përfshirjen e KGJK dhe KPK, pa mbështetjen e ShBA dhe BE dhe pa përfilljen në përpikmëri të qëndrimeve të Komisionit të Venedikut”, tha Blaka për Paparacin.
Kujtojmë që dje, Kurti ka zhvilluar takim me të parin e PDK-së, Memli Krasniqi. Në një konferencë për media, Krasniqi tha se procesi i vettingut duhet të zhvillohet përmes kuvendit.
Ndër të tjerash, Krasniqi u shpreh se PDK mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet ne koordinim me partnerët strategjikë, shoqërinë civile dhe palët tjera të interesit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, ka thënë Krasniqi.
Kurti u refuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi sipas tyre ata kontributin e tyre do ta japin në Kuvend.