Ish-tekniku i Sllovenisë, Matjaz Kek, ka dhënë vlerësime pozitive për kombëtaren e Kosovës në futboll.
Në një intervistë për edicionin sportiv të gazetës kroate “Jutarnji”, ai ka thënë se do të donte që Kosova të kualifikohej për në Botërorin e vitit 2026.
“Dua që Bosnja dhe Hercegovina të kualifikohet dhe Kosova të kalojë tutje”, u shpreh ai në këtë intervistë.
“Po, është e turpshme që na mundën 2-0 në Lubjanë. Përpara kësaj, luajtëm ndeshjen tonë më të mirë në Prishtinë dhe duhej të kishim festuar (0-0). Më treguan se si mund të funksionojnë vendet më të vogla, me një bazë më të vogël lojtarësh, por me cilësi shumë të mirë. Ata morën shumë futbollistë që luajnë në Gjermani, Spanjë… Kur ke 7-8 prej tyre, krijon një ekip shumë të mirë. Ishte një zhgënjim për mua, por nga ana tjetër pranoj se ata ishin thjesht më të mirë”, deklaroi Kek për Kombëtaren e Kosovës.
Kek u largua nga drejtimi i Sllovenisë pak ditë më parë pasi i skadoi kontrata. Aktualisht ai po flitet se mund të jetë trajner i ri i skuadrës kroate, Dinamo.
Kosova në fazën e grupeve për kualifikime në Botëror përfundoi e dyta, pas Zvicrës, duke siguruar play-offin që mund ta çojë në Kupën e Botës. Për të arritur këtë ëndërr, Dardanët do të ndeshen me Sllovakinë në muajin mars, dhe nëse e kalojnë këtë pengesë, do ta kenë edhe përballjen finale me Turqinë ose Rumaninë.

