Telenews

Jasharët mohojnë garimin për president pasi Konjufca tha se një emër nga kjo familje do te ishte “konsensus automatik”

Anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, e kanë mohuar se kanë ndonjë qëllim për të garuar për president të vendit, pasi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha të mërkurën se, nëse do të vinte një emër për president nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.

Osmani nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t’u rizgjedhur, ndërsa deri tani nuk janë përmendur emra të tjerë të mundshëm për president, pavarësisht se afti po soset.

Duke folur pas një takimi me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca tha se mes partive politike deri tani ka konsensus vetëm për një president që do të vinte nga familja Jashari.

Por, Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, tha më vonë për VOX Kosova se nuk ka interesim apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës, dhe se “ua kam bërë të qartë partive politike se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”.

Më vonë, Bekim Jashari, ish-kryetari komunës së Skenderajt, i tha Radios Evropa e Lirë se ai mban qëndrimin e djalit të xhaxhait, duke shtuar “nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”.

Konjufca nuk kishte dashur të flasë kur ishte pyetur nëse kishte vullnet nga familja Jashari për këtë çështje.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.

Për çështjen e presidentit, Konjufca u pyet edhe gjatë një konference për media me homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali.

Ai i cilësoi si pozitive takimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka zhvilluar me krerët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e kreut të ri të shtetit.

Konjufca tha se hartuesit e Kushtetutës e kanë shkruar pjesën për zgjedhjen e presidentit me idenë që një shumicë e thjeshtë të mos ketë garancinë që ta zgjedhë vetë atë, por kjo të ndodhë në bashkëpunim me forcat politike.

Ai tha se shumica aktuale ka 66 vota në Kuvend dhe për arritjen e 80 votave të kërkuara për president duhet edhe mbështetja e partive opozitare.

Sipas tij, 80 vota nuk mund të arrihen nëse propozohet një “emër i njëanshëm”.

“Pra, konkludimi është që përmes një emri të përveçëm ne mos ta mbështesim për muri opozitën”, tha ai.

Vetë Kurti ka kërkuar një marrëveshje me PDK-në dhe LDK-në për presidentin, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Nga PDK-ja kanë thënë se nuk do të jenë pengesë e proceseve shtetërore, por nuk mbështetin kandidatura që nuk përfaqësojnë unitet qytetar, ndërkaq LDK-ja ka kërkuar ose marrëveshje politke ose konsensus për kreun e ri të shtetit.

Të ngajshme

Aksioni i Prokurorisë në Prishtinë – sekuestrohen para, veturë dhe dokumente të falsifikuara

KushtrimGuraj

OVL-UÇK takohet me Spiropalin, kërkon mobilizim për mbështetje ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

KushtrimGuraj

Takimi Haradinaj–Spiropali, theksohet bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri dhe integrimi në NATO

KushtrimGuraj