Telenews

JAVA E TRETË E KARANTINËS NË SHANGAI, A PO RREZIKOHET KOSOVA NGA VALE E RE E VIRUSIT?

Kina po vazhdon të përballet me raste të reja të virusit COVID-19, ku listës së qyteteve të prekur me virus po i prin Shangai.
Në 24 orët e fundit në Kinë janë konfirmuar 2 mijë e 742 raste të reja me COVID-19, nga të cilat 2 mijë  e 417 janë në Shangai, qytet ky i cili tashmë ka hyrë në javën e tretë të bllokimit.
Gjatë kësaj periudhe, Kina ka regjistruar edhe 20 mijë e 718 infeksione të reja asimptomatike, nga të cilat  79 ishin të importuara dhe 20 mijë e 639 transmetuar në nivel lokal.
Nga këto infeksione asimptomatike, 19 mijë e 831 janë regjistruar në Shanghai.
E duke qenë se rastet e tilla po e kalojnë shifrën mbi 20 mijë, autoritetet po përpiqen të gjejnë hapësirë ​​të mjaftueshme, duke shndërruar sallat e ekspozitës dhe shkollat në qendra karantine si dhe duke ngritur spitale të improvizuara.
Gjatë kësaj periudhe janë konfirmuar edhe tri viktima nga COVID-19 në Shangai, duke shënuar kështu rastet e para të vdekjeve që nga fillimi i bllokimit të qytetit.
Kina është një nga vendet e fundit që ka mbetur ende e angazhuar për çrrënjosjen e koronavirusit, ndryshe nga pjesa më e madhe e botës që po përpiqet të jetojë me virusin.
Kështu, mes shqetësimeve për kufizimet e ashpra, Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka urdhëruar stafin të largohet nga konsullata në Shangai.
Por kjo politikë zero-Covid është vënë nën tendosje javët e fundit me përhapjen e variantit Omicron.
E tërë kjo situatë erdhi pas përhapjes së një vale të re të variantit Omicron dhe nënvarianteve të tij, më i njohuri prej të cilëve është ai që njihet si nënvarianti “BA.2”.
Se një nënvariant i tillë është në qarkullim në shumë vende, për Klankosovën e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, e cila tha se as vendi ynë nuk duhet neglizhuar një situatë të tillë.
“Në disa vende është në qarkullim tashmë nënvarianti BA.2 i Omicron, prandaj nuk duhet neglizhuar situatën dhe duhet bërë kujdes. Sistemi duhet të jetë gjithë kohën i mobilizuar, për aq kohë sa pandemia është aktivë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Ministria e Shëndetësisë gjithashtu bëri thirrje që përkundër situatës aktuale të qetë epidemiologjike në vendin tonë, të bëhet zbatimi me përpikëri i masave që janë në fuqi. Kjo ministri poashtu tha se duhet të vazhdojë edhe vaksinimi i qytetarëve.
Mirëpo, edhe nëse Kosova përballet me një valë të re të virusit, Ministria e Shëndetësisë siguroi se do të jenë në gjendje ta përballojnë atë.
“Shëndetësia e Kosovës ka përballuar secilën valë të deritanishme të COVID-19, disa më lehtë e disa më vështirë, varësisht prej ashpërsisë së tyre dhe do të jetë në gjendje ta përballoj edhe ndonjë valë tjetër eventuale nëse manifestohet”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19, nga 1 mijë e 344 testime ditore dhe janë shëruar edhe 26 pacientë.
Aktualisht në vendin tonë janë gjithsej 481 raste aktive me këtë virus.

Të ngajshme

Sa orë ju largon kafja nga gjumi?

Erzana Fazliu

Mënyrat shtëpiake për trajtimin e infeksioneve urinare, pa barna

Donat Hashani

Mos e bëni kurrë këtë kur merrni paracetamol, paralajmëron mjeku

Donat Hashani