Shtesat prej 100 eurove për pensionistët nuk do të dalin këtë javë me pensionet e rregullta, por në javët e ardhshme.
Po ashtu edhe për nënat dhe prindërit që marrin shtesa për fëmijët, do të njoftohen gjatë ditëve në vijim se kur do të procedohet shtesa prej 100 eurot e njëhershme për të gjithë fëmijët në kuadër të shtesës së rregullt prej 10-20 euro që ata i marrin shtesat për fëmijët.
Sa i përket këtyre dy masave nuk ka nevojë për aplikim për ata që janë ekzistues në skema.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati pas vendimit të marrë në Qeveri për shpërblimin e fëmijëve dhe pensionistëve për fundvit, ka theksuar se pensionet e rregullta për dhjetor ekzekutohen këtë të premte dhe sipas tij, është e pamundur të ndahen shtesat më 15 dhjetor.
“Ka të bëjë me shtesën e mbështetëse financiare prej 100 eurove për të gjithë përfituesit e skemave pensionale për muajin dhjetor. Marrë parasysh se pensionet e rregullta ekzekutohen këtë të premte ne do kemi të pamundur të ekzekutojmë shtesën në këtë datë, por gjatë javës në vijim do t’i njoftojmë pension-marrësit për ekzekutimin e kësaj shtese”, ka thënë ministri Murati pas mbledhjes së qeverisë./Telenews/