Telenews

Jupa tregon gjasat e Kosovës për kualifikim në Evropian, flet edhe për karrierën e tij në Gjermani

Njëri prej hendbollistëve më të mirë të Kosovës në vitet e fundit, padyshim që është Kastriot Jupa.

29 vjeçari nga Gjakova, që dikur shkëlqente në parketet kosovare me Besën e Pejës, tash po paraqitet në Gjermani me Cottbusin dhe po bën paraqitje fenomenale.

Jupa është një prej hendbollistëve kryesorë edhe te Përfaqësuesja e Kosovës me të cilët së fundmi zhvilloi ndeshje në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024.

Telenews.al realizoi një intervistë me lojtarin luftarak të Kosovës i cili në çdo ndeshje e jep edhe atomin e fundit për ekipin, ai foli për dy humbjet e Kosovës, gjasat e tyre për kualifikim në Evropian, ambiciet personale të së ardhmes dhe dha një mesazh edhe për hendbollistët e rinjë të Kosovës.

Sa ju përket dy ndeshjeve të para kualifikuese, kemi pasur paraqitje pozitive duke pasur parasysh mungesat që i kishim dhe kundërshtarët që janë nivel më i lartë se ne, por të dyja ndeshjet kemi treguar paraqitje shumë të mira dhe ju jemi krijuar probleme të mëdha ekipeve”.

Ky ishte fillimi i kampanjës kualifikuese dhe Kosova zhvillon edhe katër ndeshje, ndërsa Jupa beson se kanë shance të mira për kalim tutje.

Kam besim të madh në këtë ekip, që mund të arrijmë një gjë të madhe, kualifikimin, sepse nga marsi do të jemi ekipi komplet dhe kemi gjasa shumë të mëdhaja për kualifikim”, shprehet hendbollisti gjakovar.

Jupa këtë vit është transferuar në hendbollin gjerman, ai tregoi për Telenews.al edhe sa i përket nivelit personal, se si po i shkon në Gjermani.

Në Gjermani çdo gjë po shkon në mënyrë perfekte, jam ambientuar mirë dhe e kam gjetur veten shumë mirë në ekip dhe shpresoj ta vazhdoj këtë formë Besoj që sukseset nuk do të mungojnë, jam i etur për to dhe të shohim”, deklaron Jupa

Ai tregoi edhe se cilat janë pretendimet e tij personale për të ardhmen.

Pretendimet janë që të shpallemi kampionë në Oberligën gjermane që do të mi hapte dyert që të kem një rritje si lojtar dhe me Kosovën ti vazhdojmë paraqitjet e mira dhe ta përmbushin ëndrrën për kualifikim në Evropian”.

Krejt në fund, pas largimit nga Kosova, Jupa u pyet se a po e përcjell ende hendbollin e këtushëm dhe pati një mesazh të fuqishëm për hendbollistët e rinjë në Kosovë.

I përcjelli ndeshjet e ligës së Kosovës shpesh dhe mendoj që këtë vit ka përmirësim dhe rritje të cilësisë së ligës dhe tani është më e lehtë për lojtarët që të transferohen në klube evropiane kështu që ju mbetet vetëm të punojnë dhe të nxjerrin më të mirën nga vetja, që të kenë sukses në këtë sport”, mbylli intervistën Jupa.

Të kujtojmë se për dhjetë vjet, Jupa ka luajtur për skuadrën pejane, Besa Famgas. Ai Besën ka dominuar plotësisht në hendbollin kosovar. Plot gjashtë herë është shpallur lojtari më i mirë i vitit në Kosovës. Ai është shquar me paraqitje të mira edhe në kupa evropiane.

/Telenews.al/

 

Të ngajshme

Zvicra synon fillim të mbarë të Botërorit

Blearta

Ndeshja Kanada – Bosnjë, publikohen formacionet zyrtare

KushtrimGuraj

E ardhmja e Rashford në pikëpyetje, Barcelona gati të heqë dorë nga transferimi i përhershëm

Rrezarta Ramaj