Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Prizren, pas një aksioni të zhvilluar në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, ku u sekuestruan mbi dy kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë.
Ngjarja ndodhi më 16 korrik 2025, kur hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, gjatë punës operative në terren, vërejtën një veturë të dyshimtë me dy persona brenda. Sipas policisë, njëri prej tyre i dorëzoi një sasi të substancës narkotike një personi tjetër, i cili ndodhej në një veturë tjetër pranë.
“Të dy personat në veturën e parë tentuan të largoheshin nga vendi i ngjarjes, por gjatë arratisë goditën dy vetura të parkuara, duke shkaktuar një aksident me dëme materiale,” njoftoi Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare.
Pas ndalimit të tyre, Policia, në konsultim me prokurorin kujdestar, kreu bastisje në shtëpitë e dy prej të dyshuarve. Nga kontrolli, janë sekuestruar dëshmi të konsiderueshme që lidhen me veprimtarinë e dyshuar kriminale:
-
2 kg e 358 gramë marihuanë, e ndarë në doza për shitje;
-
Qese najloni dhe foli për paketim të substancës narkotike;
-
Një peshore elektronike;
-
115 euro para të gatshme;
-
Dy telefona mobilë dhe një veturë me targa vendore.
Sipas vlerësimeve policore, vlera e kësaj sasie të drogës në tregun ilegal kap shifrën e rreth 11 mijë eurove.
Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tretit është iniciuar procedurë në gjendje të lirë për posedim të paautorizuar të substancës narkotike, bazuar në nenin 269 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.