Gjykata Themelore në Ferizaj e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji kundër të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasja e rëndë.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 1 prill rreth orës 23:00 në hyrje të një ndërtese, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje parapraken kanë planifikuar vrasjen e zyrtarit policor, Muhamed Likës.
“I njëjti ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit”.
“Pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit ‘D.’, ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “M.D.”, ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i pandehuri H.B., i cili e përcjellë zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar mbrapa e pas kryerjes së veprës penale nga i mituri rreth 14 minuta mbrapa vije në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar”.