Katër net spektakël, 20 mijë fansa morën pjesë në turneun e Alban Skënderajt në Prishtinë
Alban Skënderaj dhuroi një spektakël të jashtëzakonshëm për katër net radhazi në kuadër të turneut të tij “Motiv” në Prishtinë.
Koncerti “Motiv”, i cili nisi në Tiranë në vitin 2024, është mbajtur gjithashtu në Milano të Italisë dhe do të vazhdojë edhe në vitin 2026 në Londër dhe Athinë.
Fillimisht ishte paraparë të mbahej vetëm një natë në Prishtinë, por për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme të publikut në Kosovë, koncerti u zgjat në katër net radhazi.
Pas kësaj maratone katërditore, artisti ka bërë të ditur se rreth 20 mijë persona morën pjesë në koncertet e tij në Prishtinë, ndërsa u shpreh po ashtu mirënjohës.
“Prishtinë! 4 netë! 20.000 zemra! Emocione të forta që rrallë herë i kam përjetuar në gjithë karrierën time. Kosovë, të jam mirënjohës përgjithmonë! Ke qenë, je dhe do të mbetesh MOTIV dhe FRYMËZIM i pashterueshëm për mua!”, ka shkruar mes tjerash artisti në postimin e tij në Instagram.
Alban Skënderaj vazhdon të mbetet një ndër emrat më të shquar të muzikës shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme artistike.
Ai njihet për krijimtarinë e tij të veçantë, të cilën e shpreh përmes teksteve të thella dhe mesazheve të fuqishme që i karakterizojnë këngët e tij.

