Ditën e djeshme, KB Prishtina shënoi një moment të rëndësishëm për tifozët dhe komunitetin sportiv të kryeqytetit me hapjen zyrtare të fanshopit të klubit në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Në këtë ceremoni zyrtare, ishin të pranishëm lojtarët dhe zyrtarët e klubit, të cilët mirëpritën tifozët dhe të ftuarit e veçantë të klubit bardhekaltër. Mysafirë nga fusha të ndryshme ishin prezent për të festuar këtë hap të rëndësishëm të klubit më të suksesshëm në basketbollin kosovar.
Fanshopi i klubit bardhekaltër ofron një gamë të gjerë artikujsh për tifozët e skuadrës, duke përfshirë fanellat zyrtare të ekipit, shallat, kapelat, bluzat sportive, çantat dhe shumë suvenire të tjera me logon dhe ngjyrat e klubit etj.
Nga klubi thanë se ky dyqan do të shërbejë jo vetëm si një vend për të blerë produkte të klubit, por edhe si një hapësirë ku tifozët mund të ndajnë pasionin e tyre për basketbollin dhe për ekipin e zemrës.
Në fjalimin e tyre u potencua se klubi do të vazhdojë të forcojë lidhjen me tifozët e saj dhe hapja e këtij fanshopi është një hap tjetër drejt ndërtimit të një komuniteti edhe më të afërt e të përkushtuar për ekipin bardhekaltër.