Telenews

KEDS thotë se po importon rrymë 1.5 milionë euro në ditë, Shala pret vështirësi në dimër

Kompania Kosovare e Distribuimit të Energjisë ka treguar se vetëm të hënën importi i energjisë elektrike ka arritur në vlerën 1.5 milionë euro. Nga KEDS treguan se është rritur konsumi i energjisë elektrike në vend, derisa kryetari i Komisionit për Ekonomi thotë se dimri mund të jetë i vështirë për qytetarët.

Me uljen e temperaturave është rritur konsumi i energjisë elektrike në vend.

Kësisoj situata e furnizimit me rrymë është rënduar për shkak të konsumit të lartë, thonë nga Kompania Kosovare e Distribuimit të Energjisë.

Zëdhënësi, Lulzim Krasniqi tregon se në këtë ka ndikuar edhe rritja e çmimit të rrymës në Berzhën ndërkombëtare.

“Aktualisht konsumi i energjisë elektrike është mbi 930 mega vat për orë, ndërsa së fundmi një megavat për orë i energjisë elektrike është paguar deri në mbi 700 euro, shto këtu edhe kapacitetin ndërkufitar i cili krahasuar me një periudhë paraprake sa ishte 10, 20 deri 30 euro së fundmi është ngritur deri në 400 euro. Sipas këtyre parametrave vetëm përgjatë ditës së sotme importi i energjisë elektrike do të jetë diku mbi 1.5 milionë euro”, thotë Krasniqi.

Ai thotë se reduktime të energjisë mund të ketë në rast se nuk mund të furnizohen mjaftueshëm nga prodhuesi i energjisë, që në këtë rast është Korporata Energjetike e Kosovës.
“Varet edhe prej konsumit të energjisë elektrike por edhe të çmimit të energjisë elektrike në berzën ndërkombëtare i cili së fundmi është ngritur për shkak të kërkesës së madhe për furnizim me energji elektrike në gjithë rajonin”, shprehet zëdhënësi i KEDS-it.

Fajtor për këtë po vlerësohet se është dalja nga funksioni e njësisë prodhuese në KEK.

KEK-u gjatë ditës ka njoftuar se njësia është kthyer në funksion.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se njësia B1 në TC Kosova B ka ndërprerë aktivitetin sot, në orën 11:08 për shkak të një mungese të tensionit komandues në zbarën OBM. Megjithatë, falë ndërhyrjes së shpejtë të stafit të TC-Kosova B, janë realizuar sanimet e nevojshme brenda kohës optimale. Pas sanimit, njësia është rikthyer në operim dhe është realizuar sinkronizimi me rrjetin në orën 15:14”, thuhet nga KEK.

E kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala thotë se kjo do të evitohet se shpejti, por që keqmenaxhimi do të ndikojë që prodhimi vendor mos ta plotësojë konsumin që kërkon vendi.

“Ky gep i madh që tashmë për ditë po rritet na rezulton që ne do të kemi pasoja të mëdha ekonomike edhe nëse normalisht prodhojnë kapaciteti i plotë i termocentraleve. Por kur i shtojmë kësaj edhe mundësitë siç na ndodhi dje dhe sot me daljen nga sistemi dmth ai gepi i importit dhe eksportit do të rritet dhe në këtë relacion duhet të përgatitemi që mund të kemi probleme serioze gjatë fazës së dimrit, varësisht prej rrethanave dhe kushteve”, thotë deputeti Shala.

Një tjetër faktor në këtë vlerësohet se është varësia e qytetarëve nga ngrohja elektrike, kryesisht përmes kondicionerëve inverterë, e cila ka çuar në një rritje të ngarkesës.

Të ngajshme

Kur do t’i prodhojë Kosova plumbat e saj, Maqedonci: Na duhet pak më shumë se një vit

KushtrimGuraj

Ky është parashikimi i motit në Kosovë

KushtrimGuraj

Elshani thotë se sulme tjera mund të ketë në veri, por masat janë marrë

KushtrimGuraj