Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a. ka njoftuar sot opinionin publik se procesi i rekrutimit të punonjësve të rinj është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbulimin e pozitave vakante, duke përmirësuar performancën e korporatës dhe duke kontribuar në uljen e papunësisë në vend.
Në lidhje me spekulimet dhe akuzat që qarkullojnë në disa qarqe për diploma të falsifikuara,
KEK dëshiron të informojë publikun se më datë 02.01.2025, ka njoftuar opinionin për verifikimin e diplomave të kandidatëve, i cili ka rezultuar me largimin nga procesi i rekrutimit të kandidatëve për të cilët kishte dyshime për autenticitetin e diplomave të tyre. Përtej kësaj, KEK ka informuar organet përkatëse të drejtësisë dhe i ka ofruar atyre të gjitha informacionet që disponon për të zbardhur këtë çështje.
Ky proces është pjesë e angazhimeve të KEK për të ngritur transparencën dhe profesionalizmin në rekrutimin e punonjësve të rinj, dhe për të siguruar se vetëm individë të kualifikuar dhe me integritet marrin mundësi të punësohen. Ky proces është gjithashtu një hap i rëndësishëm në rritjen e performancës së KEK dhe përmirësimin e efikasitetit të korporatës.
Megjithatë, është e pakuptimtë dhe e papranueshme që disa individë dhe portale me tendenca të caktuara po përpiqen të zbehin këtë sukses duke e lidhur me çështje të tjera fare të paarsyeshme. Pavarësisht se informacioni përkatës është bërë publik dhe lënda është dërguar tek organet e rendit, disa prej këtyre individëve kanë vazhduar të përhapin lajme të pavërteta dhe të tentojnë të zbehin këtë proces të rëndësishëm.
Korporata Energjetike e Kosovës angazhohet që proceset e rekrutimit dhe të gjithë aktivitetet e saj të realizohen me integritet dhe transparencë të plotë.