Ish-drejtori i përgjithshëm i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas vendimit të ri të ARBK-së për të pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.
Kelmendi tha se “ata e kanë fuqinë e pushtetit, e ne e kemi pushtetin e fjalës”, teksa vazhdoi duke thënë se “ata i kanë motrat e vëllezërit për të imponuar, ne i kemi mikrofonët për të informuar”.
“Nuk do t’i lëmë, nuk do t’ia dalin”, shkroi Kelmendi.
Kujtojmë se në më pak se 24 orë, pas shfuqizimit të vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, ARBK-ja ka marrë vendim që ta shfuqizojë vendimin e djeshëm.
Ndryshe, edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka reaguar pasi Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e ka anuluar vendimin me të cilin ishte shfuqizuar pezullimi për certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.
Sipas tij, vendimi i ri për Klan Kosovën pasoi pasi u shkarkua nga puna udhëheqësja e ARBK-së, Pranvera Prestreshi dhe në vend të saj u vendos motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, Lebibe Haliti.
“Shkarkohet një grua afër pensionimit ne mënyrë arbitrare. Caktohet motra e deputetit ne pozite dhe anulon një vendim te ligjshëm dhe vendos padrejtësi me një vendim tjetër. Anarki, pasiguri juridike, padrejtësi ne emër te ligjit”, ka shkruar Miftaraj.
Lidhur me anulimin e vendimit të ARBK-së, i cili e anulonte vendimin për heqjen e certifikatës së Klan Kosovës, ka reaguar edhe juristja e mediave, Flutura Kusari e cila tha se Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional, Klan Kosova.
“Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova. Sot ARBK-ja paska anulu vendimin për anulimin e vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova. Vendimi është politik, duket si dokument i hetuesisë, ka bazë të gabuar ligjore, nuk ka arsyetim ligjor por vetëm politik dhe si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm”, ka shkruar ajo.
Edhe Asociacioni i Gazetrëve të Kosovës ka reaguar i alarmuar në lidhje me këtë vendim, pasi sipas tyre, ky vendimi dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh lajmin se më pak se 24 orë pas vendimit për anulimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, ARBK-ja, sot ka marrrë një vendim për ta anuluar atë vendim, dhe për ta mbajtur në fuqi vendimin fillestar të datës 14 qershor. AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë. AGK-ja, bën thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve”, thuhet në reagim.

