Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore ka dënuar ashpër kërcënimet me vdekje të bëra së fundmi ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Përmes një reagimi dërguar mediave, ky grup thotë se akte të tilla frikësimi dhe kërcënime të kësaj natyre nuk janë vetëm sulm ndaj Presidentes Osmani si person, “por edhe sulm ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe parimit të paqes e stabilitetit”.
GSBGj u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile dhe mediave që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara për të mbrojtur gratë në politikë dhe për t’u siguruar që ato mund të udhëheqin pa frikë.
“Shprehim solidaritet të plotë me Presidenten Osmani dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për sigurinë, mbrojtjen dhe dinjitetin e të gjithë zyrtarëve publikë, pa dallim gjinie, që shërbejnë me integritet dhe përkushtim. Nuk ka vend për dhunë apo frikësim në shoqëritë demokratike”, ka thënë GSBGj në reagimin dërguar mediave.