Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Liridon Malsiut, 24-vjeçar, i dyshuar për veprën penale “Dhunimi”.
Sinjali dje raportoi se i riu po dyshohet se e ka dhunuar një vajzë 20-vjeçare, me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale, pa dëshirën e saj.
“…i njëjti me datën 04 Shkurt 2024 afër fshatit Soponicë- Komuna e Kaçanikut, me përdorimin e forcës, ka detyruar të dëmtuarën për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, me të cilën do të kryente veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.” – ka njoftuar prokuroria.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.