Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se do të analizojë çdo lëshim eventual të Prokurorisë Themelore në Prizren në trajtimin e lëndëve të kaluara të Dibran Hoxhajt, të njohur me nofkën “Kobra”.
Në një reagim për media të premten, KPK-ja ka thënë se ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, raport lidhur me të gjitha rastet e kaluara të Dibran Hoxhajt.
KPK-ja ka paralajmëruar sanksione, pas analizimit të rasteve, në rast të gjetjes së “çdo lëshimi eventual” të kryer nga Prokuroria në Prizren.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bazë të kompetencave ligjore që ka, do të trajtojë me kujdes të gjitha veprimet e ndërmarra ndër vite nga prokuroria përkatëse ndaj Dibran Hoxhaj dhe çdo lëshim eventual do të sanksionohet në bazë të akteve ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial.
Dibran Hoxhaj në të kaluarën ishte dënuar për 16 vepra penale, por dënimet e shpallura ndaj tij ishin në shumë raste minimale krahas veprave për të cilat akuzohej.