Khabib sulmon një nga boksierët më të mirë në histori: Është i neveritshëm, Izraeli e paguan
Khabib Nurmagomedov, ish-kampioni i pamposhtur i peshave të lehta në UFC dhe një nga figurat më dominues në historinë e MMA-së, ka kritikuar ashpër Floyd Mayweather, duke e cilësuar atë si një “luftëtar parash” dhe një “askush” krahasuar me legjendën Muhammad Ali.
Gjatë një fjalimi në një tubim mysliman të organizuar nga Instituti Miftaah në New York City, fundjavën e kaluar, Khabib foli për vlerat në sport, rëndësinë e trashëgimisë dhe dallimin mes atyre që luftojnë për para dhe atyre që frymëzojnë.
“Dje pashë një intervistë me një djalë që e quajnë ‘Money’. U pagua për të fluturuar në Jerusalem dhe flet se si e mbështet atë vend. Ai luftoi për para – unë luftova për trashëgimi. Sepse kur frymëzon njerëzit, kjo është trashëgimi. Njerëz të neveritshëm si ai nuk frymëzojnë askënd. Po flas për Mayweather”, deklaroi Khabib.
Sipas tij, Mayweather është shembulli i luftëtarit që vepron vetëm për përfitim financiar, pa pasur ndikim pozitiv në shoqëri apo tek brezat e rinj.
“E di që është paguar. U nis me klas biznesi dhe tha: ‘E mbështes vendin tuaj’. Kjo është luftë për para. Unë nuk do ta bëja kurrë, sepse luftova për trashëgimi – për të frymëzuar. Ka kampionë që kanë qenë të jashtëzakonshëm në ring, por si njerëz janë zero. Njerëzit as nuk duan t’i përmendin”, shtoi ai.
Khabib bëri krahasimin mes Mayweather dhe Muhammad Ali, duke thënë se ky i fundit ishte simbol i së vërtetës dhe i frymëzimit global, ndërsa Mayweather, sipas tij, do të harrohet menjëherë pas vdekjes.
“Nëse flasim për rekordet sportive, Mayweather ka 50-0, pa humbje. Por si njeri, askush nuk dëshiron të jetë si ai. Shikoni Aliun – ai frymëzoi miliona, miliarda njerëz. Ai ishte një njeri i madh që qëndroi gjithmonë në anën e drejtë. Kjo është trashëgimi. Ndërsa ky tjetri… kush është? Kur të vdesë, do ta harrojnë menjëherë.”
Khabib Nurmagomedov e mbylli karrierën e tij të shkëlqyer me 29 fitore në po aq ndeshje, duke mbrojtur titullin në UFC tre herë. U tërhoq nga sporti në vitin 2020, pas vdekjes së babait dhe trajnerit të tij Abdulmanap Nurmagomedov, duke përmbushur premtimin që i kishte dhënë nënës së tij për të mos u rikthyer më kurrë në oktagon.