Janë bërë nëntë ditë që minatorët e Trepçës kanë hyrë në grevë pas kërkesave të tyre për të përmirësuar kushtet e punës, gjersa gjendja shëndetësore e minatorëve të Minierës së Trepçës po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Kështu tha në një prononcim, nënkryetari i Sindikatës së Minatorëve (tashmë i suspenduar), Destan Kërleshi.
LEXO EDHE:
Njësia më elitare e Policisë, proteston para Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë (FOTO)
Ai tha se disa përfaqësues të Trepçës janë takuar të martën me deputetët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, mirëpo siç u shpreh ai, edhe pse deputetët e LVV-së iu kanë premtuar që kërkesat e tyre do të realizohen, ata nuk kanë marr ndonjë premtim me shkrim.
Kërleshi theksoi se minatorët e Trepçës janë duke e vazhduar grevën.
“Sot po vazhdon dita e nëntë e grevës. Gjendja shëndetësore e minatorëve është shumë e rëndë. Dje kemi qenë tek Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. Aty në fakt janë pajtuar për kërkesat e minatorëve si nga pozita dhe opozita. Deputetët e LVV-së kanë premtuar që do të realizohen kërkesat, pastaj mbrëmë rreth orës 21:00 përfaqësuesit kanë arrit në Trepçë dhe na thanë që nuk kanë sjellë asgjë me shkrim. E sigurisht që minatorët janë të vendosur që të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre. Te gjithë minatorët e minierës së Stantërgut janë në grevë me flotacion”, tha Kërleshi.
Ndërkaq, sipas tij, që nga fillimi i grevës e deri më sot 268 minatorë kanë kërkuar trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar sulm kardiak.
“Dje numri i minatorëve që kanë kërkuar trajtim mjekësorë ishte 34, ndërsa një është dërguar në Spitalin e Mitrovicës. Numri i përgjithshëm nga data 24 tetor e deri më sot që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë 268 minatorë, ndërsa 34 janë dërguar në Spitalin rajonal të Mitrovicës, ku njëri prej tyre ka pas dhe sulm kardiak”, ka thënë Destani.
Kërleshi bën një lutje për Qeverinë për të marrë seriozisht gjendjen e minatorëve dhe për të ndihmuar në adresimin e shqetësimit të tyre.
“I bëj lutje që ta marrin seriozisht gjendjen e minatorëve nga miniera e Trepçës pasi gjendja e tyre shëndetësore veçse po përkeqësohet”, tha ndër të tjera Kërleshi për Telegrafin.
Ndryshe, sot është dita e nëntë që minatorët e ndërmarrjes “Trepça”, kanë hyrë në grevë.
Kërkesa të minatorëve janë që pagat t’u dalin me kohë, të ketë përmirësim të kushteve të punës, sigurime shëndetësore dhe shkarkim të menaxhmentit.
Ndryshe, menaxhmenti i Trepçës ka marrë vendim që të suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës së punëtorëve Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues. /Telenews.al/