Shtëpia më e famshme në Kosovë ka mirëpritur një banor të ri, duke sjellë menjëherë emocione dhe tensione të forta. Regjisori Lim Hoti është futur zyrtarisht në Big Brother VIP Kosova, duke trazuar dinamikat brenda shtëpisë që në momentet e para.
Hyrja e tij nuk ka kaluar pa reagime, pasi Limi është ish-partneri i Albës, me të cilën kishte pasur një histori të bujshme gjatë pjesëmarrjes së tyre të përbashkët në reality show-n “Ferma VIP”. Dyshja kishin qenë në një lidhje, e cila më pas kishte përfunduar mes polemikash, veçanërisht pasi Lim Hoti ishte përfolur se kishte nisur një raport me dikë tjetër.
Sapo u prezantua si banor i ri në spektakël, Alba nuk arriti t’i mbajë emocionet, duke shpërthyer në lot kur pa ish-të dashurin e saj përballë. Momenti emocional u bë menjëherë vëmendje e banorëve të tjerë, të cilët iu afruan Albës për t’i qëndruar pranë dhe për ta mbështetur.
Hyrja e Lim Hotit pritet të sjellë dinamika të forta, përballje emocionale dhe debate, duke qenë se historia e tij me Albën ka qenë një nga më të komentuarat në publik. Tashmë mbetet të shihet se si do të ndikojë ky rikthim në lojë dhe në raportet brenda shtëpisë.

