KMDLNJ, thekson se ‘Gjykata Speciale e themeluar nën kushte dhune dhe presioni psikologjik nga deputetët e Kuvendit të Kosovës doli të jetë një monstrum juridik, në shërbim të politikës ndërkombëtare dhe vendore gjë që po dëshmohet sidomos në përfundim të procesit kundër udhëheqësve më të lartë të Kosovës sikur edhe udhëheqësve të luftës çlirimtare’.
Sipas KMDLNJ-së, qëllimi ishte të arrestohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërsa të tjerët u arrestuan për ta bërë më të besueshëm këtë proces gjyqësor, disa prej të cilëve u dënuan me dënime të larta, në procese të kurdisura dhe me “prova” nga Serbia.
“GJSR – e, ndonëse deklarohej se ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe se ishte pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, me asgjë nuk identifikohej me Kosovën dhe nuk ndjente asnjë detyrim ndaj “themeluesit”, Kuvendit të Kosovës. Madje, në një aneks marrëveshjeje që kurrë nuk ishte bërë transparent për publikun, sovraniteti i vendimmarrjes për të gjitha çështjet bartej te GJSR – e e që paraqet presedan në historinë e Drejtësisë ndërkombëtare, në kuptimin më negativ të fjalës”, thekson KMDLNJ.
Sipas KMDLNJ-së, ‘mazhoranca e deputetëve të Kosovës, nuk ka treguar vullnet, guxim dhe përgjegjësi që buron nga mandati i tyre për të kërkuar informata dhe përgjegjësi nga GJSR – e për trajtimin çnjerëzor, fyes dhe degradues të të burgosurve, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës’.
“Institucionet e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit është dashur të thirren në dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në radhë të parë në Konventën për Parandalimin e Tortures dhe Trajtimit Çnjerëzor dhe Degradues. Kjo Gjykatë nuk është monitoruar nga askush, ka qenë krejtësisht jotransparente, me mungesë të theksuar të llogaridhënies. Që nga Procesi i Nyrembergut, pas luftës së dytë botërore, nuk mund ta gjeni një gjykatë që aq brutalisht i shkelë të drejtat e njeriut, kryesisht në baza etnike siç e bënë GJSR – e në Hagë. Pa asnjë pasojë”, thekson kjo organizatë.
Sipas kësaj organizate, ‘pengjet në Hagë, të pambrojtur nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga shteti i Kosovës , kanë mbetur në mëshirën e një grupi burokratësh që kanë përfituar materialisht në dëm të popujve që kanë pësuar humbje të mëdha në njerëz, deri në përmasa gjenocidi siç ishte rasti i Kosovës’.
“Kryetarja e kësaj Gjykate , Ekaterina Trandafilova, bashkë me prokurorin Smith, të përkrahur edhe nga politikanët e Kosovës kanë krijuar një alibi që pengjet nga Kosova duhet të dënohen gjithsesi ndërkaq , përkrah agresiviteti më brutale ishte Trëndafilova që, sikur vendasja e saj, Baba Vanga, parashikonte dënim me burgim të përjetshëm. Baba Vanga vetëm ka parashikuar, Trandafilova ka mundësi të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrje 100 përqind”, thekson KMDLNJ.
KMDLNJ, thekson se rregullisht ka denoncuar shkeljet brutale të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës në Hagë që nga arrestimi arbitrar, mosdhënia e shërbimeve shëndetësore me kohë, mospërkthimi i materialeve gjyqësore në gjuhën shqipe, trajtim çnjerëzor gjatë vizitave humanitare, informimi i kufizuar në gjuhën amtare, kufizimi i vizitave, ushqimi i pamjaftueshëm dhe jocilësor, mbajtja në arrest përtej çdo kohe të arsyeshme, shkelja brutale e parimit të prezumimit të pafajësisë përmes deklaratave publike të personelit të GJSR- e sikur edhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies.
KMDLNj paralajmëron opinionin se ‘para GJSR – e në Hagë po luhet një lojë e ndyrë juridike ku as viktimat nuk përfitojnë drejtësi e as përgjegjësit eventualë për krime nuk e marrin dënimin e merituar. Loja po luhet për qëllime krejtësisht të ndyra politike’.