Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka zhvilluar një takim me Sekretaren Shtetërore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Andreja Metelko-Zgombiq, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe kontributin e Kroacisë në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë.
Sipas njoftimit, takimi ishte një mundësi e mirë për komandantin Barduani që të prezantojë analizën dhe vizionin e tij mbi situatën aktuale të sigurisë, duke nënvizuar angazhimin e KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
“Takimi ofroi një mundësi të vlefshme që Komandanti i KFOR-it të ndajë vizionin e tij mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe të theksojë përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të siguruar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë bisedës, Barduani e falënderoi përfaqësuesen kroate për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të saj ndaj misionit të KFOR-it dhe për rolin që Kroacia ka luajtur në promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, komandanti e falënderoi Metelko-Zgombiqin për kontributin e Kroacisë në KFOR që nga viti 2009 dhe për rolin aktiv të saj në promovimin e stabilitetit në rajon