Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Hapi i radhës do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.
Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në njoftimin e Komitetit pas takimit të 27 marsit u tha se ai duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit për Kosovën” që do të ndihmonte të sigurojë mbrojtje për të drejtat e serbëve në Kosovë, dhe sa i përket shpronësimit të pronave në veri, Komiteti tha se ato duhet të kryhen “duke respektuar ligjin” dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit.
Përmes njoftimit, Komiteti tha po ashtu se është në dijeni të “përkeqësimit të situatës së sigurisë në komunat në veri të Kosovës”, duke theksuar se “rreziku për dhunë në Kosovë është i madh” dhe se siguria varet “nga mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, përshkallëzimi i tensioneve dhe normalizimi i raporteve me Serbinë”.
Duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis”, duke i bërë thirrje Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa “paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.
Në Kosovë u mirëprit vendimi i Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës.
Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, tha se opinioni i raportueses Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “pa asnjë parakusht shtesë”.
“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja “janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.
Në raportin e Bakoyyanis, kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, “fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, dhe jo si vend sipas nenit 5”.
Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në takim, tha se raporti u votua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Por, sipas tij, gjatë takimit kishte mospajtime.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se kundër raportit kanë votuar dy deputetë nga Serbia, një votë kundër ishte nga deputetët e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq një deputet i Greqisë ka abstenuar.
Në Serbi, ministri i Punëve të Jashtme në mandatin teknik, Ivica Daçiq, e quajti vendimin për rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “të turpshëm dhe skandaloz”, raporton rel.
Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.