Telenews

Komuna e Kaçanikut ndan 200 euro për çdo nënë lehonë, masa nis nga viti 2026

Kuvendi Komunal i Kaçanikut ka miratuar unanimisht propozimin për mbështetje financiare të nënave lehona, duke realizuar një nga premtimet e para të kryetarit të komunës, Sabedin Vishi.

Sipas vendimit të miratuar, çdo nënë lehonë do të përfitojë 200 euro mbështetje financiare, ndërsa zbatimi i kësaj mase pritet të nisë në janar të vitit 2026.

Kryetari Vishi e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të politikave sociale në komunë, duke theksuar se ky ishte angazhimi i tij i parë publik pas marrjes së detyrës.

“Premtimi im i parë si Kryetar i Komunës së Kaçanikut për mbështetjen e nënave lehona, në vlerë prej 200 euro, sot u miratua unanimisht në Kuvend”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se institucionet komunale do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj mbështetjes së familjes dhe fëmijëve.

“Zbatimi i këtij premtimi fillon nga janari i vitit 2026. Kujdesi për familjen dhe sidomos për fëmijët mbetet prioriteti ynë”, ka deklaruar Vishi.

Nga Komuna e Kaçanikut kanë bërë të ditur se kriteret dhe procedurat e aplikimit për këtë mbështetje do të publikohen në kohë.

Të ngajshme

Padia e KEK, Hykmete Bajrami: Albin Kurti nuk po e lufton mafinë energjetike, po Janina Ymerin – nuk do të heshtim

KushtrimGuraj

Ministria e Financave thotë se vetëm disa kategori të pensionistëve lirohen nga paraqitja e rregullt

KushtrimGuraj

Më 31 janar mblidhet Kuvendi i LDK’së, Abdixhiku e paraqet dorëheqjen aty

KushtrimGuraj