Një i vdekur e pesë të plagosur është bilanci i konfliktit të armatosur mes dy familjeve Sekiraqa dhe Gashi, mbrëmjen e së dielës në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen “Aktash” të Prishtinës.
Shkumbim Sekiraqa vazhdon të jetë në liri për rastin e plagosjes së Pajtim Gashit në mars të këtij viti.
Ky konflikt mes dy anëtarëve të familjeve Gashi dhe Sekiraqa, dyshohet të ketë qenë zanafilla e konfliktit që përfundoi me një të vrarë e pesë të plagosur.
Asokohe, në mars, djali i Salih Sekiraqës, Shkumbimi e kishte plagosur me armë zjarri Pajtim Gashin. Për këtë incident kishin dal edhe pamjet.
“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, njoftonte aso kohe Policia e Kosovës.
Po atë natë, në mbrëmje, afër shtëpisë së Salih Sekiraqës, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Kjo si përgjigje ndaj plagosjes që ndodhi paraditen e 5 marsit.
Shkumbin Sekiraqa ndodhej në arrati qe nga muaji mars. Ai vendosi që disa muaj më vonë t’i dorëzohet organeve të rendit. Ndërkaq ndaj të njëjtit u caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Megjithatë i njëjti vazhdon të jetë në liri.
Familja Capat në atë kohë kishte dalur me një reagim për media.
“Këtë moment të rëndë të cilin e kaluam si pasojë e një sulmi tentim vrasje ndaj pjesëtarit të familjes Gashi në vendin e punës, ku si një familje e ndershme gjithmonë jemi munduar ti shërbejmë ndershëm shtetit duke punësuar dhe mbajtur qindra familje, dhe duke paguar qindra taksa shtetit tonë. Ky sulm ndaj familjes tonë ka rrjedhur pa asnjë arsye dhe asnjë konflikt të mëhershëm”.
Familja Gashi tutje në reagim kanë thënë se gjendja shëndetësore e Pajtimit është e mirë.
Ata presin reagim nga institucionet e sigurisë dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
“Po ashtu marrë parasysh se jemi një familje e respektuar e kryeqytetit dhe një familje biznesmenësh të suksesshëm ju lutem të mos na perzieni me kriminelët të cilës tentuan ta njollosin reputacionin tonë dhe të lëndojnë një anëtarë të familjes vetëm për të qenë pjesë e shkrimeve të mediave”, thuhej aty.
Ajo që nisi në muajin mars, përfundoi mbrëmë me 5 të plagosur e një të vrarë.
Sipas policisë, të lënduar nga ky rast kanë mbetur 5 persona të cilët po trajtohen në QKUK dhe janë nën masën e arrestit dhe në mbikëqyrje të policisë.
Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi, janë personat e plagosur.
Të hënën, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër për ndalimin e pesë personave të dyshuar për përfshirje në konfliktin e armatosur të dielën në Prishtinë, përfshirë Salih Sekiraqën.
Në një njoftim për media të hënën, Prokuroria tha se me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë të dyshuar për rastin.
Të dyshuarit, siç ka raportuar Paparaci të dielën, janë Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi.
Hetimet ndaj tyre kanë nisur në drejtim të veprave penale: vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje./Paparaci