Telenews

Konjufca tha se propozimi për Asociacionin s’e shkel Kushtetutën, deklarohen Kurti dhe Osmani

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, pas një “shikimi sipërfaqësor” tha se propozimi ndërkombëtar për Asociacionin “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën”. Albin Kurti, Vjosa osmani dhe as Besnik Bislimi nuk garantojnë për këtë. Kryeministri ishte i gatshëm të nënshkruante në Bruksel për themelimin e kësaj bashkësie komunash, por as ai, as presidentja dhe as zëvendëskryeministri nuk janë të sigurt që s’bie ndesh me Kushtetutën, përveçse thonë se gjithçka do t’i nënshtrohej vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.

Propozimi i ndërkombëtarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe përmban një dispozitë që parasheh se draft-statuti do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte detaji i vetëm që kryeministri Albin Kurti vendosi ta shpaloste të premtën për publikun.

Kurti konfirmoi se ishte i gatshëm të nënshkruante për themelimin e kësaj bashkësie komunash, sipas një propozimi që pesë diplomatë të huaj ia sollën në Prishtinë paraprakisht.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha ai në një konferencë për media.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, tha se nuk mund të vlerësojnë nëse ky draft është në përputhje me Kushtetutën.

“Sponsorët e këtij dokumenti kanë deklaruar, kanë siguruar se gjatë përpilimit të propozimit të tyre, i cili nuk është propozim merre ose lëre, ata janë kujdesur në maksimum që t’i përmbushin kushtet e z. Kurti që në plotni të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015. Por, prapë ne nuk e kemi kompetencën që të konstatojmë se a përbën ndonjë formulim brenda shkelje të Kushtetutës apo jo”, tha ai.

As presidentja Vjosa Osmani nuk preferon të ngutet për të thënë se draft-statuti i propozuar i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën. Pasi e ka lexuar dhe e ka analizuar “gjerë e gjatë”, siç tha vetë, shefja e shtetit do t’ia lë Gjykatës Kushtetuese ta bëjë vlerësimin.

“Aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij drafti do ta bëjë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kështu që unë nuk do të ngutesha me e shpallë në përputhje me Kushteuttën. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe është institucioni në Republikën e Kosovës që e bën atë vlerësim, natyrisht në qoftë se asaj i paraprin akti i nënshkrimit apo miratimit të atij draft-statuti siç parashihet. Kështu që atë vlerësim duhet ta bëjë gjykata”, tha ajo të hënën në një konferencë për media.

Osmani tha se vlerësimet e saj do t’i japë si komente në Kushtetuese në rast se pranohet dhe miratohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit sipas propozimit të ndërkombëtarëve.

“Natyrisht që e kam lexuar. Jo vetëm lexuar, por analizuar me vëmendje të thellë, gjerë e gjatë, mirëpo vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë, pra në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj kur shkon ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti vlerësoj se duhet të sqarohen, që zbatimi të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën tonë”, tha ajo, duke shtuar se vlerësimi i përputhshmërisë së propozimit për Asociacionin me Kushtetutën nuk është serioze të bëhet tash.

Por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e bëri një vlerësim pozitiv për këtë propozim qysh para një jave. Një ditë para se Kurti të shkonte në Bruksel për të diskutuar mbi planin e ri dhe Asociacionin me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kryeparlamentari tha se draft-statuti s’bie ndesh me Kushtetutën.

“Në një shikim sipërfaqësor, po [propozimi për Asociacionin] është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”, tha ai.

Me gjithë hezitimin dhe akuzat për anshmëri, përgjigjja pozitive e Kurtit për t’u kthyer në dialog dhe te zbatimi i marrëveshjes për rrugën e normalizimit me Serbinë, duket sikur e ktheu sërish procesin në binarë.

Kurti shkoi në kryeqendrën europiane pasi kishte lexuar në Prishtinë një plan të ri për dialogun, të cilin ia sollën më 21 shtator pesë diplomatë nga Europa e Amerika, përfshirë të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak tha se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq të enjten në Bruksel u shprehën të gatshëm për ta zbatuar marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Ai shkroi në Facebook se të dy kishin komente dhe pyetje mbi propozimin europian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilat tha se do të sqarohen “javëve në vijim”. Takimet e javës së kaluar me liderët europianë, siç tha Lajçak, “ishin planifikuar të ishin të shkurtra”, por “u kthyen në neogicata të gjata”. Ai paralajmëroi se së shpejti do t’i ftojë kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq në Bruksel “për t’i diskutuar hapat e ardhshëm”.

Të ngajshme

Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padurim periudhën e ardhshme

KushtrimGuraj

Albin Kurti përpara një testi historik!

KushtrimGuraj

Parashikimi i motit për javën e ardhshme

KushtrimGuraj