Glauk Konjufca nuk e ka kundërshtuar Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, sikurse kanë bërë 42 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës sërish ka votuar në kundërshtim me linjën e Grupit Parlamentar të LVV-së.
Në seancën parlamentare të së premtes, kreu i Kuvendit ka abstenuar në lidhje me Ligjin e propozuar nga deputetja e PDK-së, Floreta Zejnullahu.
Konjufca ka abstenuar, derisa 42 kolegë të tij në Vetëvendosje kanë votuar kundër projektligjit.
Kjo është hera e tretë që Konjufca voton ndryshe nga qëndrimi i Vetëvendosjes. Një nga rastet e tjera, ishte edhe abstenimi në shqyrtim të parë të Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.
Propozuesja e projektligjit, deputetja Zejnullahu tha se iniciativa ligjore synon të parandalojë abuzimet në sektorin e farmacisë në vend.
“Ky projektligj është për t’i ndalur abuzimet dhe keqpërdorimet në sektorin e farmacisë, dhe tregtinë me barnat, më vjen shumë keq kur vërejtjet për këtë projektligj vijnë prej punonjësve të kompanive farmaceutike dhe kjo e sqaron më mirë pse Vetëvendosje është kundër këtij projektligji. Por mbrojtja më e mirë është sulmi çdo herë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se qeveria ka punuar për hartimin e projektligjin që rregullon çmimet e barnave dhe të njëjtin do ta sjell në Kuvend gjatë sesionit vjeshtor.

