Një qytetar nga Prishtina sot ka përjetuar një rast shumë të pakëndshëm në Maxi Hipermarket, pasi ka blerë një produkt ushqimor të cilit i kishte skaduar afati prej tre ditësh.
Ky qytetar ka dërguar fotografitë e realizuara nga ky rast, në adresën elektronike të Telenews.al, duke e faktuar të gjithë skandalin e ndodhur që e ka përjetuar dhe ka rrëfyer se si ka ndodhur e tëra.
Qytetari e zbuloi se ka blerë produkt mishi pa afat, vetëm pasi ishte kthyer në shtëpi dhe kishte kontrolluar etiketën e produktit. Në kushte të zakonshme, kjo mund të ishte thjesht një pakujdesi, por duke marrë parasysh temperaturat e larta që po mbretërojnë aktualisht dhe produktin e mishit, situata u bë shumë më serioze, shkruan Telenews.al
I shqetësuar për shëndetin e tij dhe të familjes së tij, qytetari menjëherë riktheu produktin në pikën e Maxi Hipermarket ku e kishte blerë dhe e informoi stafin e marketit për këtë problem të rëndë. Ai gjithashtu ka paralajmëruar drejtuesit e marketit për rrezikun e helmimit që mund të shkaktohej nga një neglizhencë e tillë, sidomos në këtë periudhë të nxehtë, ku rreziku nga produktet ushqimore të skaduara është shumë më i madh.
Ky rast ngre shqetësime të mëdha për konsumatorët në Kosovë dhe vë në pah nevojën e kontrolleve më të rrepta të cilësisë dhe afateve të produkteve nëpër markete.
Ky rast nuk është një përjashtim në tregun e Kosovës, ku shpesh herë konsumatorët hasin në produkte me afat të skaduar që ende janë të ekspozuara për shitje. Nevoja për kontrolle më të rrepta dhe përmbushje të standardeve të sigurisë ushqimore bëhet edhe më urgjente, sidomos në kushtet e tanishme të nxehtësisë së lartë, kur produktet ushqimore mund të përbëjnë rrezik të lartë për shëndetin e konsumatorëve. /Telenews.al/