Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit për afatin e konvertimit të targave në RKS, ku ndër të tjera ka kërkuar që të shtyhet afati për konvertimin e tyre për 10 muaj, raporton Gazeta10.
Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë nevojë për tensione por për dialog, dhe se është duke u punuar në këtë drejtim.
“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, [ato] duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, tha Stano më 27 tetor.
Më tej, Stano ka thënë se dy shtetet duhet të shmangin veprimet e njëanshme dhe se e vetmja rrugë përpara është qëndrimi konstruktiv ndaj temave të hapura.
“Ato kanë shprehur si prioritet afrimin me BE-në dhe me krijimin e tensioneve, me pamundësinë për t’i zgjidhur çështjet, duke mos folur me njëra-tjetrën, duke mos pasur gatishmëri për kompromis, ju nuk i arrini këto qëllime dhe e dëmtoni popullin tuaj. Pra, mesazhi ynë është i njëjti, duhet të jemi konstruktivë dhe të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura dhe të përmbahemi nga veprimet e njëanshme që çojnë deri te përshkallëzimi. Kemi nevojë për të kundërtën, për ulje të tensioneve dhe progres”, është shprehur zëdhënësi i Bashkimit Evropian.
Stano ka thënë se BE-ja nuk është duke u dorëzuar dhe se përmes përfaqësuesve special ata janë në terren.
“Ne nuk dorëzohemi dhe gjithmonë jemi të angazhuar në emër të njerëzve në terren. BE-ja mbetet e angazhuar dhe ky është roli i përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell dhe ai i të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ata janë të angazhuar intensivisht në kërkim të zgjidhjes për çështje, për të cilën nuk ka pasur zgjidhje deri tash. Por, kemi akoma edhe disa ditë deri më 31 tetor. Ne po punojmë me partnerët tanë për të gjetur zgjidhje dhe për të parandaluar situatën, në të cilën do të kishim eskalim të panevojshëm të ri, apo, Zoti mos e dhëntë, shpërthim të situatës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Më tej, Stano ka thënë se vendimi i Kosovës për konvertimin e targave është legjitim por duhet të sigurohet një kohë e mjaftueshme për zbatimin e tij.
“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë i qartë. Vendimi i Kosovës për të ndërruar tabelat e regjistrimit është legjitim. Megjithatë, sipas marrëveshjes nga dialogu që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, të arritur më 2011 dhe 2016, është me rëndësi që të sigurohet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultime të afërta me qytetarët, ndaj të cilëve ka ndikim, dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, ka theksuar Stano.
Më tej, Stano ka ritheksuar rekomandimin që BE-ja ia ka bërë Qeverisë së Kosovës për një shtyerje të afatit për 10 muaj.
“Konkluzat për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshin një afat kohor për riregjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtës logjikë, tash kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.
Ndër të tjera është theksuar edhe situata e tensionuar gjeopolitike në raport me përshkallëzimin eventual në veri.
“Çfarëdo përshkallëzimi i tensioneve dhe dhune potenciale në veri të Kosovë duhet të evitohet. Kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin momental gjeopolitik, në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit në rajon”, thuhet nga BE-ja.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës nuk po pranon që ta shtyjë këtë afat pavarësisht rekomandimeve ndërkombëtare teksa Lista Serbe ka paralajmëruar edhe mundësinë e trazirave në veri të vendit.

