Telenews

“Korniza e re” e dialogut, Haziri: Palët s’do të negociojnë për dokumentin që u publikua, kjo është zgjidhja e vetme

Kryeministri Albin Kurti kërkon marrëveshje me Serbinë me njohjen reciproke në qendër. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, andej, thotë se s’do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Në këtë pikë, Gjermania dhe Franca u angazhuan, dhe bashkë me SHBA-në po synojnë të gjejnë diçka në mes për të cilën pajtohen të dyja palët. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e sheh vetëm një zgjidhje në dialog, e cila sipas tij është “më e mira” dhe “e vetmja”.

Angazhimi i vrullshëm Gjermanisë dhe Francës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duket se ka prodhuar një kornizë të re të këtij procesi, e cila përmban një marrëveshje përmbajtësore që pritet të nënshkruhet vitin e ardhshëm dhe e shtyn për 10 vjet marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, që është përgjegjës për dialogun dhe bashkëpunimin regjional në këtë parti, i tha Gazetës Express se ky do të ishte opsion gjysmak që s’do të funksiononte.

“Zgjidhja më e mirë dhe e vetme mbetet dokumenti ligjërisht obligativ me njohje të ndërsjellë. Çdo opsion tjetër është gjysmak apo ‘gjysmë shtatzani’ që nuk funksionon”, tha Haziri.

Albanian Post raportoi të dielën për një dokument që, ndër tjerash, flet edhe për njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian të cilat nuk e kanë bërë ende këtë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Haziri beson se ky nuk është dokumenti për të cilët do të bisedojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Dokumenti i sjellur në media besoj që është gjysmak dhe nuk është dokumenti për të cilët palët do të fillojnë negociatat”, thotë Haziri.

Plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, raportohet se u përpilua pas angazhimit të këshilltarëve të kancelarit gjerman, Olaf Szholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Jenns Plettner dhe Emmanuel Bonnne, bashkë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, më 9 shtator ishin në Prishtinë dhe pastaj në Beograd për t’u takuar me Kurtin dhe Vuçiqin.

Të nesërmen, presidenti serb kishte thënë se diplomatët kishin propozuar një “kornizë të re” për dialogun.

“Sipas tyre [diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Vuçiq më 10 shtator.

“Marrëveshja do të nënkuptonte – nuk mund të them njohje të Kosovës – mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet’, ka thënë Vuçiq.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, nuk ka dashur ta komentojë planin e pretenduar për një kornizë të re të dialogut, por tha se Amerika e mbështet BE-në.

“Nuk më takon mua të komentoj propozimet, përveçse të them se SHBA-ja mbështet BE-në, e cila po përpiqet shumë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë”, u tha Hill gazetarëve në Forumin Rajonal për Evropën dhe Euroazinë – EducationUSA në Beograd.

Të ngajshme

Moti nesër dhe ditëve në vazhdim për Kosovë e rajon

Donat Hashani

“Të parin e kisha vjerrë Halil Matoshin” – enveristi kosovar kërcënon publikisht

KushtrimGuraj

Gruas në Ferizaj i konfiskohet pushka me tetë fishekë

KushtrimGuraj