Telenews

Kosova humbi afër 16 mijë hektarë pyje për 22 vjet – “shkalla e shpyllëzimit mbetet alarmante”

kosova-humbi-afer-16-mije-hektare-pyje-per-22-vjet-–-“shkalla-e-shpyllezimit-mbetet-alarmante”

Shpyllëzimi në Kosovë është një nga sfidat më të mëdha mjedisore të dekadave të fundit, i ndikuar nga prerjet e paligjshme të drurëve, urbanizimi dhe ndryshimet klimatike. Pasojat e këtij fenomeni janë të rënda dhe afatgjata, duke ndikuar në humbjen e biodiversitetit si dhe në përkeqësimin e cilësisë së ajrit dhe tokës.

Nga viti 2000 deri në vitin 2022, Kosova ka humbur mbi 15 mijë e 980 hektarë pyje.

Organizata joqeveritare Sustainability Leadership Kosova (SLK), e cila është e angazhuar për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit në disa përgjigje për Albanian Post, bazuar në monitorimet e kryera, vlerëson se shkalla e shpyllëzimit vazhdon të jetë shqetësuese.

“Edhe pse ka pasur përpjekje për ta kufizuar këtë humbje përmes masave mbrojtëse dhe projekteve të rehabilitimit të pyjeve, shkalla e shpyllëzimit mbetet alarmante”, thonë nga SLK.

Sipas organizatës, një nga arsyet kryesore të kësaj humbjeje është prerja e paligjshme e drurëve.

“Pyjet po shkatërrohen për shkak të kërkesës së lartë për dru si burim energjie dhe për qëllime tregtare, veçanërisht gjatë dimrit”.

Gjithashtu, menaxhimi i dobët i pyjeve, ndryshimet klimatike dhe mungesa e planeve efektive për mbrojtjen dhe ripyllëzimin e zonave të prekura janë faktorë të tjerë që po përkeqësojnë gjendjen e pyjeve në vend.

“Prerjet ilegale mbeten një problem serioz, ndonëse nuk përkthehen gjithmonë në shpyllëzim masiv. Zjarret, të cilat vitet e fundit janë menaxhuar më mirë përmes masave parandaluese, si dhe degradimi i pyjeve për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar, mbeten sfida të rëndësishme”.

Në mënyrë që situata të përmirësohet, Sustainability Leadership Kosova (SLK) rekomandon një qasje më të avancuar teknologjike për të luftuar këtë fenomen.

“Përdorimi i dronëve dhe censorëve për monitorimin e pyjeve në kohë reale mund të ndihmojë në identifikimin dhe ndalimin e prerjeve të paligjshme”.

Megjithatë, përveç kësaj, SLK kërkon që institucionet të angazhohen seriozisht në zbatimin e ligjit kundër shkatërrimit të pyjeve.

“Nëse duam të ndalojmë shkatërrimin e pyjeve, duhet të vendosen ndëshkime më të ashpra për ata që kryejnë prerje të paligjshme dhe të përmirësohet bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe sektorit privat për krijimin e politikave më të forta të mbrojtjes së pyjeve”.

Ndërkohë, udhëheqësja e Divizionit për Komunikim me Publikun nga Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), Leonora Behluli-Arifi, thotë për Albanian Post se të dhënat që posedon SLK mbi humbjen e pyjeve nuk janë të sakta.

Sipas saj, sipërfaqet pyjore në Kosovë kanë shënuar rritje.

“Nga të dhënat e inventarizimit të pyjeve (2002-2012), sipërfaqet pyjore në Kosovë janë rritur me 20 mijë hektarë”, deklaron Behluli-Arifi.

Ajo gjithashtu ndan të dhëna për dëmet e shkaktuara gjatë vitit 2023.

“Dëmi i arsyetuar me fletëparaqitje nga rojet e pyllit ka qenë 4,372 m³ masë drunore, ndërsa dëmi i pambuluar me fletëparaqitje ka arritur në 9,492 m³, duke çuar dëmin e përgjithshëm në 13,864 m³ masë drunore”.

Agjencia Pyjore e Kosovës

APK-ja gjatë vitit 2023 ka ngritur 2 mijë e 465 fletëparaqitje për prerje ilegale të drurëve.

Behluli-Arifi vlerëson se gjendja e pyjeve ka treguar përmirësim falë masave të marra, ajo thekson se ende ka hapësirë për përmirësime.

“Disa nga masat që duhet të ndërmerren për të mbrojtur pyjet përfshijnë subvencionimin e burimeve alternative të energjisë për të ulur presionin mbi pyjet, vendosjen e dënimeve më të ashpra për ata që kryejnë prerje ilegale, përmirësimin e kushteve të punës për rojet e pyjeve si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për koordinimin më të mirë të përpjekjeve për mbrojtjen e pyjeve”.

Mbrojtja e pyjeve mbetet thelbësore për mjedisin, cilësinë e ajrit dhe të tokës, ndërsa ndërhyrjet e duhura mund të ndihmojnë në ruajtjen e ekosistemit dhe rikuperimin e pyjeve, duke ulur ndikimin negativ të shpyllëzimit në Kosovë.

Të ngajshme

Blerta Deliu shpreh ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thaçit: Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përherë

Valjeta Turkaj

Çitaku për Haxhi Thaçin: Zemra i rrahu deri në momentin që sytë mundën ta shihnin edhe një herë të birin

Valjeta Turkaj

Djali i Hashim Thaqit reagon për vdekjen e gjyshit: I mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin

Valjeta Turkaj