Sot u mbajt konferenca e përbashkët për media për shënimin e përmbylljes së dy programeve dyvjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), përkatësisht Programi i Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) me vlerë 100 milionë euro dhe Programi i Resiliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) me një vlerë rreth 80 milionë euro.
Në këtë konferencë, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati, theksoi se Kosova ishte shteti i parë në rajon që përfitoi nga instrumenti RSF që kishte për qëllim të mbështeste shtetet që performojnë mirë. Me përkrahjen edhe të këtij instrumenti, Kosova lansoi ankandin e energjisë me erë, ankandin solar, si dhe finalizoi Ligjin për Energji të Ripërtritshme.
Ndërsa, SBA në anën tjetër mundësoi ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe përshpejtimin e reformave të cilat mundësuan rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Përmbushja e objektivave mundëson që Kosovës t’i vihen në dispozicion pjesa e mbetur e mjeteve, përkatësisht 16 milionë euro nga Programi SBA si dhe 10 milionë euro të tjera nga Programi RSF.
Shefi i Misionit të FMN-së në Kosovë, Z. David Amaglobeli përgëzoi Qeverinë e Kosovës dhe BQK-në, për progresin thelbësor të arritur. Z. Amaglobeli nënvizoi stabilitetin makroekonomik të vendit duke deklaruar se Kosova ka pasur një rritje të lartë ekonomike. Përkatësisht, ai theksoi që rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2024 pritet të jetë nga rritjet më të larta ekonomike në Evropë.
Shefi i Misionit të FMN-së përmendi rritjen e punësimit dhe të pagave, uljen e inflacionit në 1.6%, si dhe uljen e borxhit publik nën nivelin 17%. Gjithashtu, ai theksoi stabilitetin e sektorit financiar në Kosovë si dhe rritjen e transparencës nga BQK.
Se BQK ka performuar me përkushtim të lartë, u konfirmua edhe nga Guvernatori i BQK-së, Z. Ahmet Ismaili, i cili tha se ky institucion ka siguruar stabilitet financiar dhe ka realizuar objektivat strukturore dhe indikative.
Ministri Murati, Shefi i Misionit të FMN-së Amaglobeli dhe Guvernatori Ismaili shprehën mirënjohje të ndërsjellë për angazhimin dhe bashkëpunimin e suksesshëm deri më tani, dhe theksuan se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.