Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i është dhuruar roboti i parë tokësor pa ekuipazh (UGV), i prodhuar në Kosovë nga kompania kosovaro-amerikane STRIDAR.
Roboti, me numër serik SR-4-001-KS, përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes dhe avancimin e kapaciteteve teknologjike në vend.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, UGV-të janë mjete robotike që lëvizin në tokë pa pasur nevojë për operator brenda tyre. Ato mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra të caktuara në mënyrë autonome.
Varësisht nga modeli dhe konfigurimi, këta robotë mund të përdoren për vëzhgim, transport të pajisjeve dhe mbështetje në zona me rrezik. Disa prej tyre mund të pajisen edhe me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca.
Ministria ka theksuar se zhvillimi i sistemeve të tilla dëshmon potencialin e teknologjive me përdorim të dyfishtë, të cilat mund të shërbejnë si për nevojat e mbrojtjes, ashtu edhe për ato civile.
Marrëveshja për dhurimin e robotit është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesi i kompanisë STRIDAR, Nils Alstad.
Me këtë rast, Maqedonci ka falënderuar kompaninë për kontributin dhe angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve vendore të mbrojtjes.

