Përkundër që në Kosovë ende nuk ka asnjë rast të prekur dhe as të dyshuar me sëmundjen e fruthit, ekziston rreziku që fëmijët të preken nga kjo sëmundje ngjitëse.
Kundër sëmundjes së fruthit me dozën e parë, janë të vaksinuar 87% e fëmijëve, dhe me dozën e dytë 95%, mirëpo përqindja e të pavaksinuarve po konsiderohet rrezik për shpërthimin e kësaj sëmundje të fëmijëve, meqenëse tashmë raste aktive ka në rajon dhe Evropë.
Kështu ka deklaruar për KosovaPress, shefja e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Fetije Fetaj, e cila theksoi se arsyet e shpërthimit të fruthit në botë lidhet me rënien e nivelit të vaksinimit për të gjitha llojet e vaksinave në vitet e fundit për shkak të pandemisë COVID-19.
“Duke marrë parasysh që fruthi është një sëmundje që përhapet shumë lehtë, shumë shpejt dhe lëvizjet e shumta të popullatës… nuk themi se nuk jemi të rrezikuar dhe presim në çdo moment mund të ketë raste, puna jonë është që rastet me qenë sporadike, të kufizuara dhe mos me pas raste shumë. Vaksinimi në Kosovë me dozën e parë është 87% këtë vit dhe dozën e dytë në moshën 6 vjeç që jepet në shkolla është 94%, përqindja e vaksinimit është relativisht mirë, por një gjë duhet pas parasysh që për të qenë rehat, vendi ynë duke e parë natyrën e sëmundjes së fruthit, vaksinimit duhet të jetë mbi 95%, që të jemi të relaksuar dhe të mos ta kemi frikën se mund të kemi rritje të rasteve”, theksoi ajo.

