Qeveria nënshkroi këtë javë vendimin i cili i hapë rrugën procesit që Kosova të bëhet me industri të sajën për prodhim të municionit. E, për prodhimin e municionit shteti e ka pjesërisht të gatshme infrastrukturën e ish-fabrikës së municionit në Prekaz të Skenderajt.
Përveç doronëve Bayraktar të prodhuar në Turqi, në qiellin e tonë pritet të fluturojnë edhe fluturake pa pilot që pritet t’i prodhojë vet Kosova.
Pasi këtë javë Qeveria nisi procesin për themelimin e Fabrikës së Municionit dhe Laboratorit për Dizajnim e Zhvillim të Dronëve/Fluturakeve pa pilot, televizioni Dukagjini mëson se planifikohet të prodhohen rreth 20 lloje të dronëve.
Drona të ngjashëm si këta arrijnë shpejtësi maksimale varësisht nga lloji deri në 95 km/h, dhe mund të bartin peshë deri në 1 kilogram.
Planet e shtetit për të prodhuar municion ose plumba për armët e ushtrisë i kanë kthyer sytë kah gërmadhat e së kaluarës.
Një e tillë ndodhet jo më larg se 1 kilometër nga kullat e familjes Jashari në Prekaz.
“Fabrika e municionit në Skenderaj i punësonte mbi 300 persona, ajo kishte 4 reparte të përpunimit ndërsa kapaciteti i saj ishte deri në 4500 plumba për një orë. Ajo e furnizonte jo vetëm Jugosllavinë, por edhe shtete të Evropës e madje kishte interesim edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Në fabrikën ku dikur punonte Haxhi Qerimi prodhoheshin 4 lloje të plumbave për pushkë të gjuetisë. Përfaqësuesi i punëtorëve të ish-fabrikës është merakli i këtij zanati.
Në zyrën e tij ruan edhe kujtimet e së kaluarës e edhe dëshminë e madhështisë së dikurshme.