Futbollistët e grupmoshës U19 të Kosovës kanë pësuar humbje të thellë në nisje të turneut kualifikues për në Evropianin 2025. Kosova U19 të mërkurën u mposht 4:0 nga Austria e kësaj grupmoshe.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takoi Grupit 10 kualifikues.
Të udhëhequrit e përzgjedhësit Adil Maliqi golin e parë në ndeshje e pësuan në minutën e nëntë.
Sulmuesi Phillip Verhounig shënoi për 1:0.
Futbollisti që aktivizohet te skuadra e Lieferingut, skuadrës së dytë të Salzburgut, realizoi sërish për 2:0, në minutën e 65-të.
Golin për 3:0 mysafirët e shënuan në minutën e 73-të, me Leon Grgiqin, që luan te skuadra e Sturm Grazit në Bundesligën austriake.
Dhjetë minuta para fundit, Austria U19 e realizoi golin përfundimtar me qendërsulmuesin dhe futbollistin tjetër të Lieferingut, Oghenetejiri Adejenughure.
Në ndeshjen tjetër të po këtij grupi, Spanja mposhti Ishujt Faroe, 3:0.

