Telenews

Kosovari në ShBA futet me armë të mbushur në aeroplan, arrestohet -Pamje

Një ngjarje e pazakont ndodhi më 15 prill në aeroportin O’Hare të Chicagos, ku Besnik Ismajlaj, një shtetas me origjinë shqiptare dhe banues në St. Charles, Illinois, arriti të kalojë kontrollin e sigurisë me një armë zjarri në çantën e dorës, pa u vënë re nga agjentët e Administratës për Sigurinë e Transportit Ajror (TSA).

Sipas informacionit të dhënë nga policia, 53-vjeçari kishte me vete një pistoletë gjysmë-automatike Glock 9mm, të cilën e futi në avion pa kaluar ndonjë kontroll të rreptë. Incidenti ndodhi gjatë një ndërrimi turni të agjentëve të sigurisë, që mund të ketë kontribuar në këtë gabim.

Pamjet e publikuara nga kamera trupore e policisë tregojnë momentin kur oficerët e policisë së Chicagos hipin në avion dhe e nxjerrin Ismajlajn nga klasa e parë, ku ai ishte ulur qetësisht, pa u bërë ndonjëshqetësim.

Pas arrestimit të tij, Ismajlaj u dërgua për intervistim dhe është duke u hetuar për shkeljen e ligjeve të sigurisë ajrore.

Kur oficerët e pyetën nëse e dinte pse ndodheshin aty, Ismajlaj u përgjigj: “Po, është në çantën time.” Më tej, në video ai dëgjohet duke thënë: “E harrova,” teksa vendoset në pranga dhe shoqërohet jashtë avionit, shkruan “The New York Post”.

Sipas deklaratave zyrtare, një agjent i TSA-së e kishte vënë re armën gjatë kontrollit me rreze X, por para se të mund të reagonte, Ismajlaj kishte marrë çantën dhe ishte larguar drejt portës së fluturimit. Një udhëtar tjetër që ndodhej në radhë dha përshkrimin e personit që mbante armën, gjë që ndihmoi në identifikimin dhe kapjen e tij.

Pas arrestimit, Besnik Ismajlaj u ngarkua me akuzën për kundërvajtje, për mbajtjen e armës së fshehur në një aeroport. Në video shihet gjithashtu momenti kur oficerët e policisë e fusin në furgon dhe e dërgojnë në një dhomë mbajtjeje, ku i lexohen të drejtat e tij sipas ligjit Miranda.

Ismajlaj pritet të dalë para gjykatës më 9 qershor 2025, për t’u përballur me akuzat dhe procedurat e mëtejshme ligjore që lidhen me këtë incident.

Të ngajshme

Mbyllja e zyrave paralele në veri, Ambasada franceze: Kosova po dërgon sinjale negative te partnerët

Donat Hashani

Baraliu: As Kushtetuesja e as zgjedhjet nuk janë zgjidhje, partitë të lëshojnë pe

Donat Hashani

Vengu e Starmer vizitojnë Qendrën e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Shqipërisë

Donat Hashani