Telenews

KOSTT e konfirmon, me 40 milionë eurot e Qeverisë Kurti do t’u paguhet rryma serbëve në veri

Më 10 gusht 2022, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë edhe 40 milionë euro për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës [KOSTT]. Me këto mjete do të paguhet energjia elektrike për komunat veriore të vendit, anipse u tentua që të mohet kjo gjë.

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, shpjegoi arsyet e ndarjes së 40 milionëve për KOSTT-in. Por, ajo asnjherë nuk deklaroi se këto para janë të destinuara për të paguar rrymën që harxhojnë serbët në veri të vendit.

“Kyçja e KOSTT-it në ENTSO është në pyetje. Është në fund të marrëveshjes dhe duhet ripërtërirë. Gjatë vitit kemi shkaktuar disbalance të mëdha nga sistemi interkonektiv. Si Ministri e Ekonomisë kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave, ku është propozuar ndarja e 40 milionë eurove për shlyerje të detyrimeve dhe janë ndarë ato”, ka thënë Rizvanolli në pyetjen e gazetarëve se a janë ndarë për veriun këto para.

Përgjigjja e KOSTT-it

Në anën tjetër, KOSTT në një përgjigje për Nacionale, ka konfirmuar se paratë janë ndarë për të paguar rrymën për komunat në veri të vendit.

KOSTT ka nënvizuar se këto para për energjinë elektrike të shfrytëzuar por pa paguar nga serbët janë obligime financiare që duhet paguar ndaj ENSTO-E pasi janë bërë devijime Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.

“KOSTT si palë kontraktuese me ENTSO-E ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës mbështetje për mbulimin e detyrimeve financiare sipas obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E. Siç është e ditur, në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Këto devijime janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E si dhe paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E, obligime për të cilat faturohet”, kanë thënë nga KOSTT për Nacionale.

Kjo pagesë vjen pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se qeveria nuk do të bëjë më subvencionimin e energjisë elektrike për serbët në veri.

“Nuk mund te pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin për energjinë e konsumuar në veri të papaguar atje”, ka thënë Kurti.

Marrëveshja për rrymën e veriut

Delegacioni nga Kosova i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bilsimi, në qershor të këtij viti kishte nënshkruar me Serbinë Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë.

Sipas kësaj marrëveshje, Kompania serbe, Elektrosever, do të bëntë faturimin e energjisë për komunat veriore.

Deri më tani, Elektroseveri nuk ka respektuar afatet kohore që janë të obliguara me marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, për çka edhe ka shtyrë që të faturohet energjia në atë pjesë të Kosovës.

Elektroseveri nuk i ka dorëzuar të dhënat për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe të Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë [KOSTT], e po ashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji.

E për mosrespektimin e marrëveshjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se fajtor është qasja destruktive e Serbisë.

Kurti kishtë thënë se janë në pritje të reagimit të Brukselit për zbatimin e udhërrëfyesit.

“Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori e fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit ashtu siç ishin paraparë oraret. Ne presim reagimin e Brukselit, nuk mund të vazhdojmë me mënyrat e vjetra, ne jemi konstruktivë e të përkushtuar”, kishte thënë Kurti.

Sipas KOSTT, gjatë vitit 2021, borxhi i rrymës, i papaguar për pjesën veriore të Kosovës, ka qenë gati 41 milionë euro.

Ndërkohë, nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës ndan mjete për të paguar rrymën e serbëve në veri.

Gjithashtu, nga e hëna në Kosovë kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike, mirëpo e njëjta gjë nuk po ndodh edhe për komunat veriore.

KEDS ka thënë se reduktimet do të jenë 6 orë me rrymë dhe 2 pa të, teksa ka fajësuar Qeverinë për mos-ndarjen e 100 milionë eurove, të cilat sipas tyre, kanë ndikuar në rëndimin e situatës energjetike.

Përndryshe në Kosovë është paralajmëruar një dimër i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Të ngajshme

Qeveria e nis mbledhjen me një minutë heshtje në nderë të viktimave pas tërmetit në Turqi e Siri

Miftar Zejnullahu

Fotoja e tyre u bë virale, nxirren nga gërmadhat motër e vëlla

Miftar Zejnullahu

Qeveria e Kosovës sot zhvillon mbledhjen e radhës, por çfarë do flitet?

Miftar Zejnullahu