Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për pezullimin e partisë politike: Partia Rome e Bashkuara e Kosovës (PREBK) pasi nuk ka mbajtur kuvendin e saj zgjedhor sipas afatit ligjor.
Afati i fundit për mbajtjen e kuvendit/konventës zgjedhore për PREBK ka qenë data 6 janar 2024.
Sipas vendimit të KQZ-së, PREBK obligohet që ta mbajë kuvendin e saj zgjedhor në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhore brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partive dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.