Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasditen e sotme njoftoi se ka përfunduar procesi i numërimit të votave me postë.
Bazuar nga këto të dhëna, LVV i ka 31 mijë e 963 vota, apo 51.57 për qind; LDK e dyta me 18 mijë e 933 vota, apo 30.55 për qind; PDK e treta me 5 mijë e 878 vota, apo 9.48 për qind; dhe koalicioni AAK-Nisma, i ka mbledhur 2 mijë vota apo 3.23 për qind e votave me postë.
Në lidhje me këtë proces, Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim ka bërë një reagim, duke treguar se në raport me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, LVV-ja është partia e vetme që ka pësuar rënie nga votat e diasporës.
Sipas tij, partia e Albin Kurtit ka humbur plot 28 mijë vota.
“Rezultatet e votimit jashtë vendit, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, tregojnë se vetëm VV ka shënuar rënie të numrit të votave, respektivisht 28 vota më pak”, thotë ai.
Ndërkohë, Krasniqi tha se partitë e tjera kanë shënuar rritje, dhe LDK-ja është me rritjen më të lartë.
“LDK ka pasur rritjen më të madhe me 15,748 vota më shumë, PDK 2,021 vota më shumë, dhe AAK-NISMA me 746 vota më shumë”, potencoi Albert Krasniqi.
Ai tha se “VV kishte shpresuar se mundësimi i votimit nëpër misione diplomatike do të sillte më shumë përkrahje nga diaspora, por kjo pritje nuk është realizuar”.
Tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me numërimin e votave me kusht dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta.
Përfundimi i procesit të numërimit pritet të bëhet nesër me datë 5 mars. /Klankosova.tv