Disa të shtëna me armë zjarri kanë trazuar mbrëmë banorët e rrugës ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë. Një konflikt mes disa personave përfundoi tragjikisht për Egzon Hazirin, rreth 30-vjeçar, i cili humbi jetën pas plagëve të marra nga goditja me armë zjarri. Të plagosur kanë mbetur edhe dy persona tjerë, përfshirë një kalimtare të rastit.
Gazeta raportoi mbrëmë ekskluzivisht lidhur me ngjarjen e rëndë, ku sipas sinjalizueseve, fillimisht bëhej fjalë për dy persona të plagosur.
Por më pas u mësua se pos viktimës Haziri dhe kalimtares së rastit, i plagosur ka mbetur edhe një person që ndodhej me tashmë të ndjerin.
Vdekjen e të riut e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkohë që dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Burimet nga Emergjenca bëjnë me dije se gruaja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën, ndërsa i plagosuri i dytë është në gjendje stabile.
Ndërkohë lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët pohuan se po kryejnë ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Momentalisht nuk raportohet për persona të arrestuar, e as nuk është arritur që ata të identifikohen.
“Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.