Telenews

Krejt çka ndodhi sot në Kuvend: Përplasje PDK-Aleancë me LVV-në, tensionet eskalojnë gati edhe fizikisht

Kuvendi i Kosovës është përfshirë sot nga tensione të forta politike dhe përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe atyre të Aleancës me ata të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), raporton Ekonomia Online.

Ngjarjet e sotme nisën në kuadër të përpjekjeve për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Deputetët e opozitës, veçanërisht ata të PDK-së dhe Aleancës, kërkuan që seanca të vazhdojë dhe që Kuvendi të mos mbetet i bllokuar.

Deputetë të të dyja partive shkuan në sallën e seancave të Kuvendit.

Ndërsa, PDK-ja gjatë ditës së djeshme i ishte drejtuar edhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari, me kërkesë për vazhdimin e punimeve të seancës konstituive.

Por kërkesat e opozitës u shoqëruan me debate të ashpra në sallë dhe jashtë saj.

Përplasjet verbale mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së u përshkallëzuan, duke e kthyer Kuvendin në skenë të një konflikti të drejtpërdrejtë politik.

Situata u rëndua edhe më tej kur përplasjet kaluan nga debati verbal në incidente fizike.

Një nga momentet më të tensionuara ishte përplasja e deputetës së Aleancës, Albana Bytyqi me atë të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Aty dëgjohet Nagavci që i thotë Bytyqit ‘‘Mos më prek. Hjeke dorën’’.

Ndërsa Ardian Gola i LVV-së hyri në sallën kryesore të Kuvendit dhe po përplasej me deputetë të PDK-së, Ganimete Musliu e PDK-së i hodhi atij ujë.

“Super kiriminela jeni. Po e shkelni Kushtetutën”, i tha Musliu Golës pasi i hodhi ujë.

Në një tjetër përplasje, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u përball me deputetë të PDK-së, ndërsa situata u shoqërua me akuza dhe deklarata të rënda politike.

Gërvalla dëgjohet teksa i thotë deputetes Blerta Deliut ‘’largohu veç pak, s’ke nevojë në fytyrë’’.

Deliu i përgjigjet duke i thënë ‘’s’po të vjen marre’’.Gjatë kësaj situate janë dëgjuar edhe thirrje ‘’UÇK’’.

Përplasje ka pasur mes edhe Gërvalles edhe Artan Behramit, ku janë dëgjuar fjalë si ‘’ti ke shkelë mbi gjakun e UÇK’së’’, ku ministrja ka thënë ‘’mos rrej’’.

Më pas deputetët e PDK-së, dhe ata të Aleancës, e kanë gjuajtur me ujë dhe letra ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvallën.

Përplasje pati edhe mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili është përplasur me deputetin e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi.

“Thirreni seancën, leni pallavrat. Demagogë”, u dëgjua t’i thoshte Lushtaku, Rrustemit dhe deputetit tjetër, Ardian Gola.

“Kjo s’është normale”, shtoi ai.

Më pas kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, është kthyer në sallën e Kuvendit, duke thënë se ajo shkoi aty për shkak të vizitës së mërgatës.

Haxhiu, i kritikoi partitë e tjera duke thënë se veprimet e tyre janë të ‘’pajustifikueshme’’.

‘’Siç po e shihni opozita i proteston edhe mërgatës, edhe të rinjve e të rejave tona, por kur s’ka kauzë vazhdojnë me veprime të tilla të pajustifikueshme. Ja që opozita po tenton të bëjë veprime të tilla vetëm që të pengojë aktivitete të Kuvendit’’, ka thënë ajo.

Në thelb të konfliktit qëndron ngërçi rreth konstituimit të Kuvendit. Opozita kërkon që procedurat parlamentare të vazhdojnë dhe Kuvendi të funksionalizohet, ndërsa LVV-ja ka kërkuar një zgjidhje politike dhe marrëveshje mes partive për tejkalimin e krizës.

PDK-ja e ka akuzuar LVV-në se po e mban të bllokuar Kuvendin dhe se po pengon funksionalizimin e institucioneve. Nga ana tjetër, LVV-ja ka argumentuar se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut politik dhe një marrëveshjeje që do t’i jepte fund ngërçit.

Nga PDK-ja, kërkesa kryesore e ditës ishte që seanca konstituive të mos mbetet peng i krizës politike. Deputetët e saj këmbëngulën që procedurat të vazhdojnë dhe që institucionet të mos mbeten të paralizuara.

Megjithatë, këto qëndrime nuk kanë mjaftuar për të ulur tensionet. Përkundrazi, debati politik është zhvendosur edhe në përplasje personale mes deputetëve, duke shkaktuar skena të pazakonta në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.

Ngjarjet e 12 gushtit vijnë pas një periudhe të gjatë të bllokimit institucional. Kuvendi ende përballet me vështirësi në përfundimin e procesit të konstituimit, ndërsa afatet dhe presioni politik mbi partitë janë shtuar.

Kalimi i debatit nga diskutimi parlamentar në përplasje fizike ka ngritur shqetësime të reja për funksionimin normal të institucioneve.

Të ngajshme

Hoti: Ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral

Rrezarta Ramaj

Në shtëpi iu gjetën armë nga Policia e Kosovës – Serbi Nenad Rashkoviq dyshohet se fshehë armë që janë përdorur në Masakrën e Kalludrës

Rrezarta Ramaj

Kurti sërish iu shkruan liderëve opozitarë, kërkon takim të përbashkët

Rrezarta Ramaj