Telenews

Kremlini thotë se avioni i Prigozhinit mund të jetë rrëzuar qëllimisht

Kremlini ka thënë të mërkurën se hetuesit janë duke e konsideruar mundësinë që avioni, i cili po e barte shefin mercenar Yevgeny Prigozhin, të jetë rrëzuar qëllimisht.

Kjo është hera e parë që Rusia e pranon në mënyrë kaq të qartë se ka mundësi që Prigozhini u vra qëllimisht.

Është e qartë se po konsiderohen versione të ndryshme, përfshirë versionin – ju e dini se për çfarë e kam fjalën – të themi, një ligësi e qëllimshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov më 30 gusht kur u pyet për hetimin.

I pyetur nëse Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil do ta hetojë rrëzimin e avionit, Peskov tha se rrethanat e bëjnë hetimin të dallojë, megjithëse e pranoi se hetuesit ende nuk kanë ardhur në përfundim formal se çfarë e ka shkaktuar saktësisht rrëzimin e tij.

“Të presim për rezultatet e hetimit rus”, theksoi Peskov.

Avioni privat Embraer, me të cilin po udhëtonte Prigozhini nga Shën Peterburgut drejt Moskës, u rrëzua në veri të kryeqytetit rus duke i vrarë të gjithë 10 personat në bord më 23 gusht.

Shkaktari nuk është gjetur ende, por fshatarët afër vendit të ngjarjes kanë thënë për Reuters se e kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe pastaj e kishin parë avionin duke rënë në tokë.

Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Prigozhini e mori kontrollin e qytetit jugor të Rusisë, Rostov, në fund të qershorit, duke e nisur një kryengritje që e tronditi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Rusia i ka njoftuar autoritetet braziliane se nuk do ta hetojë rrëzimin e avionit e prodhuar në Brazil, Embraer, sipas rregullave ndërkombëtare “tani për tani”.

I pyetur për këtë, Peskov tha:“Së pari, hetimi ka nisur, Komisioni Hetues është i angazhuar në këtë”.

“Në këtë rast, nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë aspekt ndërkombëtar”, tha Peskov.

Një ditë pas rrëzimit të avionit, Putini u shprehu ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe tha se e kishte njohur Prigozhinin për një kohë shumë të gjatë, që nga fillimi i viteve të ’90.

“Ai [Prigozhin] ishte njeri me fat të keq, dhe ai bëri gabime serioze në jetë”, tha Putin, derisa e përshkroi atë si biznesmen të talentuar.

Kremlini i ka hedhur poshtë sugjerimet e disa politikanëve dhe komentatorëve të Perëndimit se Putini e kishte urdhëruar vrasjen e Prigozhinit për hakmarrje, duke i quajtur ato “gënjeshtër absolute”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se nuk ishte habitur nga vdekja e Prigozhinit dhe se ka pak gjëra në Rusi pas të cilave nuk qëndron Putini.

 

Të ngajshme

Në fshatin Bellobrod të Dragashit, dy arinj kanë hyrë në një depo (VIDEO)

KushtrimGuraj

Deliu-Kodra: Asnjë deputet i PDK s’tha se ka pasur përpjekje nga VV për të marrë votën e tyre

Erzana Fazliu

Një i vdekur nga aksidenti në Bresje

Erzana Fazliu