Kolona të gjata mjetesh që transportojnë mallra nga Shqipëria drejt Kosovës janë krijuar gjatë pasdites së sotme pranë fshatit Morin të Kukësit.
Drejtuesit e kamionëve, të cilët presin të kalojnë kufirin, pohojnë se vonesat vijnë nga pala kosovare, konkretisht në doganën e Vërmicës, për shkak të procedurave doganore. Megjithatë, ata nuk kanë marrë sqarime të mëtejshme mbi arsyet specifike të këtyre pritjeve të zgjatura.
Zakonisht, situata e ngarkuar në këtë pikë kufitare ndodh gjatë fundjavës, kur përkon me orarin e pushimit të personelit të doganës. Burime nga kufiri thonë se vonesat lidhen kryesisht me procesin e skanimit të mjeteve dhe mallrave, por edhe me faktin që në disa raste funksionon vetëm një sportel nga ana e doganës së Kosovës.
Pritjet e gjata në kufi po ndikojnë ndjeshëm në kostot e kompanive transportuese, të cilat përballen me shpenzime shtesë për shkak të vonesave në qarkullimin e mallrave.