Telenews

Krizë në horizontin “diellor” të Evropës

krize-ne-horizontin-“diellor”-te-evropes

Për herë të parë pas 10 vitesh, energjia diellore në BE shënon rënie.

Bashkimi Evropian (BE) pritet të përjetojë rënien e parë vjetore në zgjerimin e kapaciteteve të energjisë diellore pas një dekade, sipas analizës së mesit të vitit 2025 nga SolarPower Europe.

Kjo rënie e parashikuar lidhet me vendimet e disa vendeve anëtare për të ulur mbështetjen financiare për instalimet diellore në banesa, duke reflektuar një zhvendosje të prioriteteve politike për shkak të presioneve ekonomike.

Sipas raportit të SolarPower Europe, kapaciteti i ri i parashikuar për energjinë diellore në BE për vitin 2025 pritet të arrijë në 64.2 GW, një rënie e lehtë prej 1.4 për qind krahasuar me 65.1 GW të instaluara në vitin e kaluar.

Kjo rënie vjetore do të përfaqësonte ngadalësimin e parë të rritjes në tregun evropian të energjisë diellore që nga viti 2015, gjë që mund të pengojë tranzicionin e shpejtë të rajonit drejt energjisë së pastër.

Në vitin 2023, rritja e kapaciteteve diellore u rrit me 51 për qind, pas një rritjeje më modeste prej vetëm 3 për qind në vitin paraardhës.

Reuters raportoi se gjatë muajit të fundit, energjia diellore përbënte 22 për qind të totalit të energjisë elektrike të prodhuar në BE, duke e bërë atë burimin më të madh të prodhimit të energjisë gjatë atij periudhe.

Megjithatë, ritmet aktuale të instalimeve sugjerojnë se deri në vitin 2030, BE do të mbetet rreth 27 GW prapa objektivit prej 750 GW që i nevojitet për të përmbushur synimet klimatike dhe për të reduktuar varësinë nga burimet e energjisë ruse.

Një nga faktorët që po ndikon në këtë mungesë është rënia e instalimeve të paneleve në çatitë rezidenciale, të cilat pritet të përbëjnë vetëm 15 për qind të kapaciteteve të reja këtë vit, krahasuar me 30 për qind në periudhën 2020–2023.

Gjermania dhe Franca kanë filluar të ulin pagesat për sistemet diellore në çati që dërgojnë energji në rrjetin elektrik; masa të ngjashme po merren edhe në Holandë për familjet që eksportojnë energji të tepërt.

Zëvendës drejtori i SolarPower Europe, Dries Acke, tha: “Shifra mund të duket e vogël, por simbolika është e madhe. Një rënie e tregut, pikërisht kur energjia diellore duhet të përshpejtohet, meriton vëmendjen e liderëve të BE-së”.

Sipas tij, Evropa ka nevojë për energji konkurruese, siguri energjetike dhe zgjidhje klimatike. Energjia diellore i ofron të gjitha këto, shtoi Acke.

“Tani politikanët duhet të krijojnë korniza për elektrifikimin, fleksibilitetin dhe magazinimin e energjisë që do të mbështesin suksesin e energjisë diellore gjatë pjesës së mbetur të dekadës”, ravijëzoi zëvendës drejtori i SolarPower Europe.

Të ngajshme

Pejë: Babai rrah djalin, arrestohet e më pas lirohet

KushtrimGuraj

Serbia e gatshme për kompromise “shumë të vështira” me Kosovën

KushtrimGuraj

Seanca e natës, deputetët e Vetëvendosjes s’shihen kërkund në sallë

Erzana Fazliu