Telenews

Kryeministri britanik thotë se s’do të zgjedhë midis SHBA-së dhe Evropës

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar të mërkurën se paqëndrueshmëria globale e shkaktuar nga lufta në Iran nënkupton se Britania duhet të bashkëpunojë më ngushtë me Bashkimin Evropian në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.

Në një konferencë për shtyp, me synimin për të lehtësuar shqetësimin publik për rritjen e kostove të energjisë, Starmer tha se ndikimi i luftës do të “na përcaktojë për një brez” dhe mund të jetë i ngjashëm me rritjen e çmimeve të energjisë në vitet 1970.

“Ne duam të jemi më ambiciozë, të bashkëpunojmë më ngushtë ekonomikisht, të bashkëpunojmë më ngushtë në siguri, të krijojmë një partneritet që njeh vlerat tona të përbashkëta, interesin tonë të përbashkët dhe të ardhmen tonë të përbashkët me BE-në”, u ka thënë Starmer gazetarëve.

I pyetur nëse po krijon lidhje më të ngushta me Evropën ndërsa marrëdhënia e tij me Donald Trump po përkeqësohet, Starmer ka theksuar se nuk po zgjedh midis Evropës dhe SHBA-së.

“Mendoj se është në interesin tonë të kemi një marrëdhënie të fortë me SHBA-në dhe me Evropën”, ka thënë ai.

“Por mendoj se kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë, emetimet e energjisë dhe ekonominë, na duhet një marrëdhënie më e fortë me Evropën”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, të martën, Donald Trump ka kritikuar sërish vendet evropiane që refuzuan t’i bashkoheshin luftës kundër Iranit, duke përmendur në veçanti Britaninë dhe Francën, ndërsa marrëdhëniet transatlantike janë përkeqësuar nga konflikti që ka rritur çmimet e energjisë.

Presidenti amerikan paralajmëroi Britaninë dhe vendet e tjera të “fillojnë të mësojnë si të luftojnë për veten e tyre”, duke thënë se SHBA-ja “nuk do të jenë më aty për t’ju ndihmuar”.

Ndërkohë, në një intervistë për “The Telegraph” të publikuar të mërkurën, Trumpi ka thënë se është duke e shqyrtuar seriozisht tërheqjen nga NATO-ja.

Të ngajshme

Supremja shpall të paligjshme dispozitat për TVSH mbi dëmshpërblimet

Valjeta Turkaj

Gashani: Kosova do të shkëlqejë më organizimin e Lojërave Mesdhetare

Valjeta Turkaj

Arrestohet 67-vjeçari në Lushnjë, ngacmoi seksualisht një të mitur

Valjeta Turkaj