Liria mori sot fitoren e radhës në kuadër të javës së 25-të në Grupin A të Ligës së Parë.
Prizrenasit fituan në udhëtim kundër Rahovecit me rezultatin e pastër, 0:2.
Por, pas ndeshjes një postim të ashpër ka bërë kryetari i klubit të Lirisë, Qemal Krasniqi, në llogarinë e tij në ‘Facebook’.
Ai ka ofenduar në baza racore, duke i quajtur “bugar” rahovecasit.
Pas atij postimi ka reaguar klubi i Lirisë, duke thënë që llogaria e Krasniqit është hakuar dhe ai u kërkon falje klubit të Rahovecit.
“Reagim:
Kf Liria dhe kryetari Qemal Krasniqi kërkon falje për sportdashësit dhe klubin e futbollit rahovecas për disa shkrime qê kanë qarkulluar në rrjetet sociale. Facebooku personal i kryetar Qemal Krasniqi është hakuar dhe dikush tjeter ka shfrytëzuar faqen e kryetarit për të bërë disa shkrime me qëllim prishjen e imazhit të kryetarit dhe klubit tonë të futbollit.
Kf Liria ka raporte të mira me të gjitha klubet dhe respekton të gjithë, prandaj distancohet nga këto shkrime nxitëse.
Edhe njëherë i kërkojmë falje Kf Rahovecit dhe qytetarëve të Rahovecit, pasi ato shkrime nuk përfaqësojnë klubin tonë
Me respekt
Qemal Krasniqi , kryetar”.

