Anëtari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Fitim Veliu, thotë se kryetari i këtij komisioni nuk është shkarkuar e as larguar, por vazhdon të jetë kryetar deri në përfundim të mandatit.
Veliu bëri të ditur se në mbledhjen e sotme është zgjedhur kryetari i ri, pasi që pas datës 21, kur kryetarit aktual i përfundon mandati s’do të kenë kuorum, pasi që do të mungojnë dy anëtarë.
“Kryetari i KPM-së nuk është shkarkuar… as nuk ka dhënë dorëheqje. Kryetari aktual i KPM-së është Jeton Mehmeti, vazhdon të jetë anëtar i Komisionit të Pavarur për Media, deri në përfundimin e mandatit. Ne kemi zgjedhur kryetarin e ri, për shkak se më datën 21 janar i skadon mandati kryetarit aktual. Për mos e lënë KPM-në pa kryetar dhe pa nënkryetar të paktën, ose pa një përfaqësues atëherë e kemi bë me anë të ndryshimit të rregullores se brendshme të një neni – e kemi bërë të mundur zgjedhjen e kryetarit të ri, por një muaj përpara, para skadimit të mandatit aktual”, tha ai.
Sipas Veliut, kryetari i ri, Besnik Berisha është zgjedhur sot, pasi që kanë dashur ta lënë një përfaqësues, derisa kryetari aktual e ushtron pozitën deri më 21 janar.
“Pas ditës së hënë ne nuk kemi kuorum, prandaj e kemi shfrytëzuar rastin e kuorumit që KPM-së të ia lejmë një përfaqësues. Pra, kryetari nuk është shkarkuar e larguar. Ai vazhdon ta ushtrojë mandatin e tij deri më 21 janar”, deklaroi anëtari i KPM-së.
Madje, Veliu thotë se draft-ndryshimi i rregullores nuk është për sot, por në fillim të janarit.
“Drafti ndryshimi i rregullores nuk është bërë tani, ka shkuar më datë 5 janar. Absolutisht nuk ka ndodhur sot, siç po pretendojnë disa. Ndryshimin e kemi bërë, kemi të drejtë ta bëjmë! Ne nuk kemi bërë asgjë jashtë ligjit”, deklaroi ai.
Me katër vota për, Besnik Berisha është zgjedhur kryetar i ri i Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Kjo pas propozimit të disa nga anëtarët në këtë institucion që kryetari të zgjidhet të premten, meqenëse mandati i kryetarit, Jeton Mehmeti përfundon të martën.